Reagon Sindikata e Postës, kërkon të mos ulen pagat e punëtorëve
Federata Sindikale e Pavarur e Postës dhe Telekomit të Kosovës (FSP-PTK) ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, se na muaji ardhshëm do të ketë ulje të pagave në Telekomin e Kosovës.
“Kur të gjithë sot jemi për një Kosovë ma të mirë pa krim dhe korrupsion, ministri pa pikë marrje del dhe kërkon që milionat e zhvatur nga krimi të paguhen me pagat e punëtorëve. Ministri gjatë takimit që kemi pasur ka akuzuar mediet se po shpifin për 40% ulje të pagave, si dhe ministri gjatë gjithë kohës është munduar të arsyeton veten se në Z-mobile ka punuar me page dhe nuk ka asnjë lidhje me ta, ndërsa tash po del dhe vërteton atë që ne e kemi thënë prej fillimi që është pjesë e krimit, sepse ka qenë drejtor i marketingut dhe shitjes në Z-mobile, ku me pozitën që tash ka dëshiron që ish-shefave (Z-mobile) t’ua paguajë milionat dhe të shkojë edhe më tej”, është thënë në reagimin e kësaj sindikate.
FSP-PTK ka bërë me dije se nuk do të lejojnë uljen e pagave dhe as shkatërrimin e ndërmarrjes.
“Përmes gjoja se investimeve strategjike nga jashtë (me kompani të huaja), ministri po dëshiron ta bëjë Z-mobilin pronar të Telekomit të Kosovës. Ketë strategji të ministrit e cila është e dëmshme për punëtorët dhe kompaninë nuk do ta lejojmë të zbatohet edhe nëse është nevoja edhe me jetën tonë do ta mbrojmë. FSP-PTK fton punëtorët, shoqërinë civile, deputetët dhe qytetarët e Republikës së Kosovës t’i bashkëngjiten kauzës tonë, sepse po tentohet të fillon me Telekomin dhe nesër do të zhvaten edhe ndërmarrjet tjera”, është thënë në reagimin e FSP-PTK.
FSP-PTK ua ka bërë me dije institucioneve shtetërore se me mirëqenien dhe djersen e punëtorëve nuk guxojnë të luajnë.
“Me shume sakrificë, mund, djersë e kemi ndërtuar Telekomin, prandaj do ta mbrojmë me të gjitha format edhe nëse është nevoja vet pa ndihmën e shtetit”, është bërë me dije në reagimin e kësaj sindikate.
/Epoka e re/