Reagon Sindikata e Telekomit të Kosovës: Kërkon zhbllokimin e llogarive bankare Telekomit dhe veprime nga organet e drejtësisë
Kryetari i Federatës Sindikale të Pavarur të Postes dhe Telekomunikacionit të Kosovës, FSP-PTK-së, Lamih Balaj, ka lëshuar një reagim për media ku ka kërkuar që të bëhet zhbllokimi i llogarive bankare të Telekomit nga përmbaruesi privat si dhe njëkohësisht ka kërkuar veprimin e prokurorisë në çështjen e Telekomit.
Njofitmi i plotë i FSP-PTK-së:
U benë një muaj që nga bllokimi i llogarive bankare të Telekomit të Kosovës, një veprim i ndërmarrë nga përmbaruesi me urdhër të ish-pronarëve të Z Mobile, një kompani kriminale që ka vepruar përmes kontratave të dyshimta dhe të bazuara në korrupsion. Ky akt i paprecedent ka lënë mijëra punëtorë pa paga mujore dhe ka bllokuar funksionimin e përditshëm të, Telekomit të Kosovës, duke krijuar një situatë alarmante për të ardhmen e kompanisë dhe të punëtorëve të saj.
Ndërsa ne përballemi me pasojat e kësaj afere të gjatë kriminale që ka gërryer Telekomit të Kosovës, ndër vite, institucionet e drejtësisë, përfshirë Prokurorinë, vazhdojnë të heshtin.
Mungesa e veprimit nga ana e tyre jo vetëm që inkurajon padrejtësinë, por gjithashtu sinjalizon mosinteresim për mbrojtjen e interesave të punëtorëve dhe të pronës publike.
Kërkojmë dhe apelojmë urgjentisht:
1.Veprim nga Prokuroria – që të nisë hetimet për këtë çështje dhe të ndjekë penalisht të gjithë ata që kanë kontribuar në krijimin dhe vazhdimin e lidhjeve korruptive të kësaj kompanie kriminale që ka dëmtuar Telekomin e Kosovës.
2.Marrje masash nga institucionet relevante, për të garantuar që punëtorët të marrin pagat e tyre dhe që Telekomi të çlirohet nga çdo ndërhyrje e padrejtë që po e shkatërron funksionimin dhe qëndrueshmërinë e tij.
3.Shkëputje të plotë nga çdo kontratë e dyshimtë dhe kriminale – për të rikthyer integritetin dhe transparencën e Telekomit dhe për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme për punëtorët dhe për kompaninë.
Si përfaqësues të punëtorëve, ne jemi të vendosur në mbrojtjen e të drejtave të tyre dhe në kërkimin e drejtësisë për një kompani që ka mbetur peng i lidhjeve kriminale dhe korruptive.
Në emër të të gjithë punëtorëve të Telekomit të Kosovës, kërkojmë që ky abuzim i hapur të marrë fund dhe që drejtësia të vihet në vend.