Reagon Tahiri pas rasteve të fundit në Vushtrri: Nuk është koha për ndeja familjare, kujdes!

14 qershor 2020 | 22:37

Të dielën u konfirmuan edhe 22 raste të reja me Covid-19 në Vushtrri.

Kryetari i kësaj komune Xhafer Tahiri ka bërë me dije të 22 rastet janë raste kontakti.

“Aktualisht kemi 154 raste aktive, 40 të shëruar dhe dy qytetarë të vdekur”, ka shkruar Tahiri në llogarinë e vet në “Facebook”.

“Më shqetëson tepër shumë numri i madh i infektimeve brenda të njejtës familje. Kjo dukuri e ka rritur shumë numrin e rasteve. Ju lutemi kujdes ruani familjet tuaja”, ka shkruar Tahiri.

Ai ka theksuar se numri më i madh i infektimeve po ndodhë brenda familjeve për shkak të vizitave familjare.

Postimi i plotë i Tahirit:

Të dashur qytetarë të Vushtrrisë

Sonte u konfirmuan edhe 22 raste të reja me Covid 19 në qytetin tonë. Të gjitha janë raste kontakti. Aktualisht kemi 154 raste aktive, 40 të shëruar dhe 2 qytetarë të vdekur. Një numër i madh i qytetarëve e kanë kaluar kohën e shërimit dhe po presim ritestimin për konfirmim të shërimit te tyre.

Më shqetëson tepër shumë numri i madh i infektimeve brenda të njejtës familje. Kjo dukuri e ka rritur shumë numrin e rasteve. Ju lutemi KUJDES ruani familjet tuaja.

Kam kërkuar nga MPB rritjen e numrit të policëve në Stacionin e Policisë në Vushtrri për të rritur mbikqyrjen e personave në vetizolim. Kemi kërkuar nga MSH po ashtu rritjen e personelit shëndetësor në QKMF dhe nga drejtoritë tjera kam derguar personel shtesë në inspektoratin sanitar.

Toleranca është 0 për bizneset që nuk respektojnë masat. Për fat të mirë, pak qytetarë kemi pasur të infektuar në bizneset e Vushtrrisë. Numri më i madh i infektimeve po ndodhë brenda familjeve për shkak të vizitave familjare. Tashmë është konfirmuar që ndejat në fund të Ramazanit dhe vizitat për Bajram e kanë rritur numrin e rasteve. Numri po vazhdon me u rritë sepse po vazhdojnë vizitat.

Prandaj duhet të ndërgjegjsohemi, nuk është koha për ndeja familjare, mos i beso akujt mos ja jep virusin familjarëve mos shko askund e mos prano askend në vizitë.

Me mbajtë maskë nuk është marre, me pas virusin po ashtu nuk është marre, me përhap virusin rrezikon jetën e tjetrit.

Ju lutem, të gjithë bashkë mundemi me fitu këtë betejë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Libri “Shafrani në Kaçanik” i historianit Ylber Hysa është një…