
Reagon Telekomi i Kosovës: Gjendja është alarmante, duhet mobilizim urgjent
Telekomi i Kosovës me shqetësim te jashtëzakonshëm ka pranuar informatën se janë bllokuar llogaritë bankare të korporatëssipas aktvendimit PPP.nr.1486/19 të datës 06.07.2020, për të siguruar kështu përmbarimin e të borxhit ndaj Z-Mobile.
Menaxhmenti i Telekomit të Kosovës posa është njoftuar me aktvendimin e gjykatës Themelore në Prishtinë, për refuzimin e prapësimit të përmbarimit, ka njoftuar aksionarin dhe të gjitha institucionet relevante duke ua bërë me dije pasojat e pariparueshme të bllokimit eventual të llogarive bankare. “Gjithashtu prej tyre kemi kërkuar me këmbëngulje bashkërenditjen e veprimeve për të parandaluar dhe menaxhuar pasojat e rënda që sjell ky vendim. Me këtë rast e njoftojmë gjithë opinionin publik, institucionet e Republikës së Kosovës se bllokimi i llogarive bankare të Telekomit të Kosovës tashmë ka shkaktuar një dëm të pariparueshëm, duke e rrezikuar kështu ofrimin e shërbimeve të pandërprera të komunikimeve elektronike përfshire këtu edhe ofrimin e shërbimeve për të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës (shërbimet e numrave emergjent, policisë, zjarrfikësve, AKI, Qeverisë, Ministrive dhe Komunave, Ushtrisë së Kosovës, Entit Epidemiologjik, Spitaleve, IKSHP ) etj të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve dhe të mbi 1 Milion konsumatorëve të cilët përdorin shërbimet e Telekomit të Kosovës”, thuhet në komunikatën e Telekomit.
Sipas kësaj komunikate, edhe në këto momente menaxhmenti i Telekomit të Kosovës është duke e hartuar planin e veprimit emergjent bazuar në këtë situate dhe rrethanë të re, në mënyrë që tëmund të mbajmë operimin dhe funksionalitetin e ofrimit të shërbimeve ndaj institucioneve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës.
“Gjendja është alarmante dhe kjo kërkon mobilizimin urgjent të gjitha institucioneve përgjegjëse shtetërore për tejkalimin e këtij rreziku që mund të shkatërrojë tërësisht këtë aset vital të Republikës së Kosovës. Në këtë drejtim është e domosdoshme që menjëherë të zhbllokohen llogaritë bankare të Telekomit të Kosovës dhe të suspendohet kjo masë”, thuhet tutje në komunikatë.