Reagon Vitali Klitschko, thotë se citimi i tij për shqiptarët ishte i rremë
Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, e ka demantuar artikullin e gazetës shqiptare me seli në Zvicër, “Le Canton 27.ch”, e cila e citonte se ai i ka falënderuar shqiptarët dhe Kosovën për solidaritetin e treguar për popullin ukrainas në luftën me Rusinë.
Klitschko, përmes një shkrimi në Instagram, tha se përpara se ta shpërndajnë këtë informacion, gazetarët duhet ta konfirmojnë një gjë të tillë.
“Miq, disa media të huaja online, përfshirë ato ruse, vazhduan të përhapin ‘citimin’ tim të supozuar për Serbinë dhe Shqipërinë. Unë s’e komentova dhe përpara se ta rishpërndajnë këtë informacion të supozuar dhe të citojnë diçka, gazetarët duhet të kërkojnë konfirmimin me audio ose video të një ekskluziviteti të tillë”, ka shkruar Klitschko.
Në lajmin e medies shqiptare në Zvicër “Le Canton 27.ch”, citohet Klitschko të ketë thënë se “pasi ju u çliruat nga Serbia, edhe ne do të çlirohemi nga Rusia”, duke iu referuar Kosovës.
Kjo deklaratë, që u tha se ishte e të parit të Kievit, nxiti reagime të ashpra në Serbi, madje edhe nga ministri i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin.