Reagon Xhavit Haliti, thotë se Vjosa Osmani tentoi ta cënoi pavarësinë e gjykatës
Ish-nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, ka reaguar ndaj kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani.
Duke iu referuar rastit të Xhavit Halitit dhe Arben Gashit, kryeparlamentarja Osmani, deklaroi se “deputeti Gashi nuk e ka sulmuar askënd, është çështje që është konstatuar edhe në gjykatë”.
Por, Haliti ka thënë se ky deklarim i Osmanit është i pa saktë dhe i pa vërtetë.
Postimi i plotë i Halitit në Fb:
Në një portal lexova se në një debat sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës, kryetarja e Kuvendit, znj. Osmani-Sadriu, paska deklaruar se “deputeti Gashi nuk e ka sulmuar askënd, është çështje që është konstatuar edhe në Gjykatë” (citim nga mediat).
Këtë deklarim kryetarja e Kuvendit e bën pas një debati ku përflitet emri im.
Ky deklarim i kryetares është i pa saktë dhe i pa vërtetë.
Në rastin tonë të një incidenti, nuk ka një vendim gjyqësor, siç thekson znj Osmani.
Ky deklarim i kryetares së Kuvendit shkel parimin bazë të ndarjes së pushteteve, paragjykon rastin gjyqësor, i cili nuk ka marrë epilog përfundimtar. Unë kam një përvojë të gjatë edhe në drejtimin e seancave të Kuvendit, ky institucion do të duhet të mos përdorej si trampolinë e paragjykimit të proceseve gjyqësore e as nuk do të duhet që nga pozicioni i kryetares së Kuvendit të paragjykohen proceset gjyqësore.
Zonja Osmani-Sadriu nuk i ka të qarta siç duket as parimet bazë të ndarjes së pushteteve, as nuk i ka të njohura as rrethanat faktike, e as statusin e rastit në fjalë, e që për habi, gjen kohë të deklaron gabimisht si më lartë.
Është për të të ardhur keq se si një ligjeruese e Fakultetit të Drejtësisë bën një huqje të tillë profesionale!
Duke dashur të besoj e znj. Osmani-Sadriu nuk ka gabuar me qëllim, nuk gjej arsye për të elaboruar tutje këtë reagim.XHH