Reagon zyrtari i Nismës: Ku kanë mbetur 7 mijë teste për COVID-19
Zyrtari i Nismës Socialdemokrate të Kosovës, Mevludin Krasniqi, ka thënë se është shqetësuese mënyra e menaxhimit me testet ndaj COVID-19.
Sipas tij, ministri i Shëndetësisë, e ka për obligim që të dal dhe të tregoj se ku shkuan 7 mijë teste, që më parë u raportua që janë në dispozicion të shtetit të Kosovës. “E tha me mburrje 3 javë më parë, Ministri i Qeverisë së shkarkuar z.Arben Vitia, se kishin mbërritur 7000 “teste” dhe të gjithë u gëzuam e u lehtësuam, “duartrokitëm” se të paktën jemi gati për testim si parandalim!. Po ja që, po del e vërteta e hidhur, është raportuar se kanë mbetur vetëm 600 “teste” e deri tani janë bërë vetëm 3720 të tilla!”, ka thënë Krasnqi, duke shtuar se ministri e ka obligim që të tregoj se ku kanë mbetur 7 mijë teste. “Ministri ka obligim e detyrë, që hapur të tregoj ku mbetën këto 7 mijë “teste” që nuk janë askund?!. Ministri ka obligim e detyrë, që hapur të tregoj të vërtetën edhe për “ndihmën me teste të ofruar nga Serbia”, e jo t’a heshtë si orën policore dhe ardhjen e mjekëve në veri të vendit tonë nga Serbia!?”, ka shkruar Krasiqi në profilin e vet në “Facebook”, përderisa ka shpërndarë një lajm me titull “Kosovës i duhen më shumë teste për koronavirusin”.