Reali, 350 milionë euro për Kane

13 janar 2019 | 13:00

Harry Kane është ëndrra e madhe e Realit të Madridit për sezonin e ardhshëm. Do të jetë 26-vjeç në 28 qershorin e këtij viti dhe informacionet në zyrat e madrilenëve qarkullojnë zërat se është i duhuri për moshën, rendimentin dhe golat e shënuar.

Në krahasim me veteranët si Lewandowski (30-vjeçar) dhe Cavani (32-vjeçar), bomberi anglez ofron më shumë garanci për galaktikët. Sipas gazetës “AS”, Reali i Madridit ka kërkuar informacione dhe ka pyetur zyrtarisht te Tottenhami për çmimin që ka, në mënyrë që të nisin tratativat në muajt e ardhshëm. Por, përgjigjja ishte e prerë dhe e pakontestueshme: 350 milionë euro.

Një shifër, që nëse do të zyrtarizohej dhe konkretizohej me një shitje, do të bëhej më e larta në historinë e futbollit, duke lënë në hije atë të Neymarit (222 milionë euro nga Barcelona drejt PSG-së). Por, Reali ka nevojë të afrojë një lojtar që të garantojë 50 golat e Cristiano Ronaldos dhe mund të bëjë një çmenduri. Tifozët nuk janë aspak të kënaqur me merkaton e bërë në sezonin e kaluar nga Perezi dhe kërkojnë që në këtë merkato të afrohen lojtarë me peshë dhe me emër. Por të negociosh me presidentin e Totenhemit, Levi, nuk është aspak e lehtë. Reali e provoi diçka të tillë me Modriqin dhe Balen, por edhe kur kërkoi informacione për Eriksenin.

Ky i fundit vlen 250 milionë euro, ishte përgjigjja e Tottenhamit. Por, këta të fundit nuk kanë asnjë nxitim në merkato, sepse tani po përfundojnë stadiumin e ri dhe e konsiderojnë Harry Kane si liderin e një projekti të ri dhe fitues me Mauricio Pochetinon. Por gjithçka do të varet edhe nga e ardhmja e trajnerit argjentinas, i cili kërkohet me ngulm nga Manchester United. Dhe nëse largohet Pochetino, atëherë edhe Kane mund të largohet drejt Realit.

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri grek i Mbrojtjes, Panos Kammenos, ka njoftuar për dorëheqjen…