Reali befasohet nga Alavesi
28 nëntor 2020
| 23:02
Real Madridi ka pësuar humbje nga Alavesi në La Liga. Ndeshja e zhvilluar në Santiago Bernabeu, përfundoi me fitore të mysafirëve 2-1.
Në minutën e pestë, Alavesi kaloi në epërsi përmes sulmuesit Lucas Perez. Ai nga pika e bardhë qëlloi saktë për 1-0.
Me të filluar pjesa e dytë, portieri Courtois bëri një gabim amatoresk, duke ia dhënë topin Joseluit, dhe ky me goditje shënoi për rezultatin 2-0.
Katër minuta para fundit të ndeshjes, Casemiro pas një tollovie e gjeti portën dhe shënoi për golin e vetëm të skuadrës së tij. Me këtë humbje, skuadra e Zinedine Zidane renditet e katërta në tabelë me 17 pikë, ndërsa Alavesi në të nëntën, me 13 sosh.