Reali dhe Atletico sonte luajnë për Superkupën e Evropës
Talini i Estonisë është gati për të pritur një nga ndeshjet më prestigjioze të historisë së Superkupës së Evropës.
Në fushë do të zbresin Reali i Madridit, fitues në fuqi i Ligës së Kampionëve, por pa Zidane në bankinë dhe pa yllin Cristiano Ronaldo; si dhe Atletico Madrid, fitues në fuqi e Evropa Ligës; dy skuadra që sfidohen për herë të parë në këtë kompeticion.
“Los Blancos”, të cilët vijnë edhe si kampionë në fuqi të Superkupës së Evropës, nëse do t’ia dalin mbanë të ngrenë trofeun në Talin do të barazonin sukseset e Milanit dhe Barcelonës. Ndërkohë, “Los Colchoneros” do të kërkojnë hakmarrjen, pas zhgënjimeve evropiane në Ligën e Kampionëve kundër Realit në sezonet e fundit, raporton “Top Channel”.
Numërimi mbrapsht i orëve ka nisur dhe po shkon drejt fundit. Reali do të drejtohet nga bankina nga një tjetër emër, ish-tekniku i Spanjës, Julen Lopetegui, ndërsa tek Atletico vijon “mbretërimin” e tij, Diego Simeone. Edhe pse nuk janë sfiduar asnjëherë në një Superkupë të Evropës, kjo do të jetë ndeshja e 10 mes tyre në kompeticionet evropiane.
Lopetegui ka grumbulluar edhe kroatin Modriqin, pavarësisht zërave të merkatos që e shohin larg Madridit me destinacion Milanon, tek ekipi zikaltër. Kjo sfidë do të shënojë gjithashtu edhe një përplasje mes Griezmannit, i sapo shpallur kampion bote me Francën, si dhe Benzema, i cili nuk u grumbullua për Botërorin e Rusisë.