Reali dhe City bëjnë detyrat në Ligën e Kampionëve
Real Madrid vuan por ia del në Red Bull Arena (Leipzig), duke marrë kështu një fitore 0-1 në aktin e parë të Champions League. Sfida filloi “zjarr” për vendasit, të cilët realizuan me Seskon. Festa ishte e përkohshme, pasi arbitri anuloi golin për pozicion jashtë loje. Në minutën e 15-të, Henrichs provoi nga distanca, por goditja e tij ishte qëndrore. Pak më vonë, Los Blancos u kundërpërgjigjën me Kroos.
Sesko mbetej rrezik konstant për mysafirët. Sulmuesi i Leipzig iu afrua ndjeshëm golit në gjysmën e pjesës së parë, gjithsesi vetëm rrjetë e jashtme. Në të 32-tën, një gabim i Mendyt në prapavijë mund t’i kushtonte shumë galaktikëve, me gjermanët që shpërdoruan rastin. Një perlë e Brahim Diaz mahniti stadiumin në fillimin e pjesës së dytë, duke i dhënë kështu Real Madridit komoditet për ndeshjen e kthimit.
Manchester City triumfoi 1-3 ndaj Copenhagen në Parken Stadium (Copenhagen). Kampionët e Europës shënuan me De Bruyne pas 10 minutash lojë. Skuadra daneze vendosi ekuilibrat në minutën e 33-të me Mattsson, falë një gafe të Ederson.
Atëherë kur skuadrat po përgatiteshin të shkonin në dhomat e zhveshjes, Bernardo Silva riktheu epërsinë te ekipi i Guardiolës. Manchester City dominoi edhe në pjesën e dytë dhe thelloi shifrat në fund me Foden.