Reali e ka kontaktuar Lowin
Suksesi me dy Liga të Kampionëve radhazi të fituara, nuk janë garanci e përjetshme dhe bankina e Zinedine Zidane ka filluar të lëkundet. Në këto kushte drejtuesit e skuadrës madrilene kanë filluar të shikojnë hapësirat për zëvendësuesin e tij.
Sipas asaj që shkruan e përditshmja spanjolle ‘Sport’ presidenti Perez është bindur që nuk do të vijojë për sezonin e ardhshëm me francezin Zidane, ndërkohë që zëvendësuesi i tij ideal është trajneri aktual i Gjermanisë, Joachim Low, raporton “tch”. Klubi madrilen ka nisur kontaktet me gjermanin, por ndërkohë një tjetër kandidat potencial është edhe argjentinasi Mauricio Pochettino, që është nën forcë me Tottenham.
“Drejtuesit e Real Madrid kanë nisur kontaktet me Low për të parë gatishmërinë e trajnerit”, shkruan ndër të tjera ‘Sport’. “Bisedimet janë në rrugë të mbarë dhe drejtuesit madrilen janë optimistë që Low do të pranojë propozimin”. Pengesa kryesore që mund të bllokojë këtë marrëveshje të marrë rrugë shpejt është kontrata që Low ka me federatën gjermane të futbollit, e vlefshme deri në vitin 2020.