
Reali fiton ‘betejën’ e parë ndaj Atleticos
Tre gola spektakolarë në “Santiago Bernabeu” në derbin mes Realit dhe Atleticos, me fitues “Los Blancos” me rezultatin 2-1, që tregon se do të zhvillohet një tjetër betejë e ashpër në “Metropolitano”.
Skuadra e Ancelottit shkon me një avantazh të lehtë në transfertë, ku skuadra e Simeones do të tentojë mrekullinë për të prekur çerekfinalet.
Zhbllokohet shumë shpejt takimi i “Santiago Bernabeut”. Pa u mbushur minuta e katërt, braziliani Rodrygo futet bukur nga e majta drejt qendrës dhe nuk i jep asnjë shans portierit Oblak me një goditje të saktë me të majtën, 1-0.
I jashtëzakonshëm Julian Alvarez me goditjen e prirër nga jashtë zonës, me topin që pasi godet shtyllën, përfundon në rrjetë.
Vijon spektakli në Madrid: Brahim Diaz bën të pabesueshmën mes disa futbollistëve të Atleticos, duke e dërguar topin atje ku nuk mund ta arrijë Oblak.