Reali kualifikohet në finale
Tripleta e Gareth Bale ka dërguar Real Madrid në finalen e Kupës së Botës për Klube.
Sulmuesi uellsian ka qenë i papërmbajtshëm ndaj japonezëve të Kashimas teksa Real Madrid ka fituar me lehtësi 3-1. Në finalen e madhe do të përballen me Al Ain, që mposhti River Plate pas penalltive një ditë më parë.
Pas një starti jo të mirë, kampionët e Europës kanë marrë veten me kalimin e minutave, por duhej minuta e 44’ e pjesës së parë për të shijuar golin e parë të Bale. Nr. 11 i Los Blancos kombinon me Marcelo-n në të majtë dhe dërgon topin në rrjetë me një goditje të bukur. Pas pushimit filloi dominimi i Real Madrid. Japonezët u dukën të lodhur dhe të pashpresë teksa Bale shënon dy gola brenda dy minutave duke kompletuar tripletën e tij. Uellsiani shënon në minutën e 53’ dhe 55’ duke vulosur fitoren për skuadrën e tij.
Pak minuta më pas, ai zëvendësohet nga Asensio dhe duartrokitet nga i gjithë stadiumi i Zayed Sports City në Abu Dhabi. Bale është bërë lojtari i tretë pas Lionel Messi-t dhe Cristiano Ronaldos që shënon një tripletë në këtë kompeticion.
Në minutën e 78’ japonezët shënojnë golin e nderit falë Doi. Në fillim goli u anulua për pozicion jashtë loje, por pas rishikimit të VAR, ai është quajtur i rregullt.