Reali në janar e dëshiron Icardin
E vetmja mënyrë për ta zgjidhur krizën e golit që ka përfshirë Realin e Madridit është afrimi i një bomberi që do të shënonte me lehtësi dhe nuk do të shpërdoronte kaq shumë sa Karim Benzema. Dhe duket se i përzgjedhuri i Realit është kapiteni i Interit, Mauro Icardi.
Arsyeja kryesore është mosha dhe instinkti i golit që ka argjentinasi përpara portës kundërshtare por, para së gjithash, edhe fakti që zikaltrit nuk po i ofrojnë një kontratë të kënaqshme. Interi për momentin ka arritur në rrogën 6,5 milionë euro, ndërsa menaxherja e futbollistit, Vanda Nara, nuk futet në bisedime nëse rroga vjetore nuk është të paktën 8 milionë.
Mediet spanjolle raportojnë se në janar do të bëhet një tentativë për ta bindur sulmuesin e Interit që ta pranojë ofertën e Realit, por zikaltrit nuk kanë asnjë plan për ta larguar, pasi e konsiderojnë lojtarin më të rëndësishëm të skuadrës. Ai ka kontratë deri në vitin 2021 dhe koha për ta gjetur gjuhën e përbashkët është e mjaftueshme.