Reali nuk shpenzon 200 milionë euro për Mbappen, kërkon Martinezin dhe Hakimin
Duke parë vështirësitë financiare për të blerë sulmuesin francez Kylian Mbappe, skuadra e Real Madrid ka ndryshuar objektiva për sa i përket sulmit.
Madrilenët janë vënë në ndjekje të pasuesit të Karim Benzema dhe sipas “Mundo Deportivo”, i pari në listë është argjentinasi Lautaro Martinez, që luan me Interin. 25-vjeçari kampion bote ka një kontratë deri në vitin 2026 me zikaltrit dhe kushton rreth 80 milionë euro, një shumë më e ulët se 200 milionët që kërkon PSG-ja për Mbappe.
Mësohet se trajneri Carlo Ancelotti ia ka bërë të qartë klubit se Lautaro Martinez është i përshtatshëm për lojën e tij. Bashkë me argjentinasin, kërkesa e dytë është 25-vjeçari maroken Achraf Hakimi. Ky i fundit ka kontratë deri në vitin 2026 me parisienët dhe kushton rreth 70 milionë euro.