Reali synon kualifikimin në çerekfinale
Real Madridi do të kërkojë të sigurojë një vend në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve kur do të përballet sonte (e martë) me Atalantën në ndeshjen kthyese.
Reali kërkon ta shmangë eliminimin për herë të tretë radhazi pasi në dy edicionet e kaluara ishte eliminuar nga Ajaxi dhe Manchester City. “Kundër Atalantës nuk mund të jesh në asnjë çast i qetë, edhe pse fituam takimin e parë. Ajo është tërbuar për kartonin e kuq që mori në ndeshjen e parë dhe ka të drejtë. Do të luajë futbollin e tyre, do të sulmojë, madje do të japë edhe diçka më shumë”, ka thënë Zinedine Zidane, trajner i Real Madridit.
“Los Blancos” ka një avantazh të lehtë nga ndeshja e parë, pasi e mposhti Atalantën me rezultat 0-1. Realit i munguan disa lojtarë në ndeshjen e parë dhe Isco luajti në qendër në mungesë të Karim Benzmas, por edhe përkundër kësaj, arriti të marrë fitore falë golit të shënuar nga Mendy, katër minuta pa përfunduar ndeshja. Skuadra që drejtohet nga Zinedine Zidane në këtë ndeshje vjen pas fitores në fundjavë kundër Elches (2-1). Në anën tjetër, Atalanta të premten e mposhti 3-1 Spezian dhe kishte më shumë kohë që të përgatitet për përballjen kundër Realit. Skuadra italiane edicionin e kaluar në çerekfinale ishte eliminuar nga skuadra finaliste, PSG dhe tash synon që ta eliminojë Realin edhe pse një gjë e tillë nuk do të jetë aspak e thjeshtë. Skuadra e Realit do të jetë pa Dani Carvajal, Alvaro Odriozola, Marcelo, Mariano Diaz dhe Casemiro.
Në anën tjetër Atalanta do të ketë mungesën e Hans Hateboer dhe Freulerit. Ndryshe nga Reali, Manchester City pritet ta ketë më të lehtë kalimin në çerekfinale për faktin se në Gjermani e mposhti Borussia Moenchengladbachun me rezultat 0-2. Pavarësisht se klubi gjerman di të jetë i paparashikueshëm, City është favorit për t’u kualifikuar tutje.
Të martën takohen:
21:00 Real Madrid – Atalanta (1-0)
21:00 Manchester City – Borussia Moenchengladbach (2-0)
/Epoka e re/