Reali synon transferimin e Arnoldit, Barça pas dyshes Tah-Davies
Në Spanjë, dy ekipet e mëdha, Real Madrid dhe Barcelona, pritet të jenë sërish aktive në tregun e transferimeve. Ekipi i Carlo Ancelottit kërkon një anësor të djathtë, kjo pasi Carvajal mbylli sezonin.
Edhe pse drejtuesit e klubit konfirmuan besimin ndaj kapitenit, duke i rinovuar kontratën deri në 2026, është e qartë që tekniku italian ka nevojë për një anësor të ri. Prej kohësh, Reali ndjek nga pranë mbrojtësit anglez, Trent Alexander-Arnold.
Nuk bëhet fjalë për një blerje emergjente pasi Arnold është një objektiv afatgjatë, por dëmtimi i Carvajal thjesht i detyron të përshpejtojnë negociatat. Me sa duket, Reali ka marrë bekimin e lojtarit pasi Arnold ka vendosur të mos rinovojë kontratën e tij me Liverpoolin.
Kjo lëvizje “alla” Perez detyron Liverpoolin të futet në negociata që në janar, për të mos rrezikuar më pas ta humbasin falas. Ndërkohë, në shtëpinë e Barcelonës kanë kthyer vështrimin nga Bundesliga, pasi aty janë dy synime, Jonathan Tah e Alphonso Davies. Me bekimin e Hansi Flick, drejtuesit e Barcelonës do të tentojnë të afrojnë dy futbollistët.