Realin synon Alonson në vend të Ancelottit dhe rinovimin me Viniciusin
Në shtëpinë e Real Madrid nuk ka qetësi. Pavarësisht se “Los Blancos” nuk do të luajnë këtë fundjavë, pasi La Liga ka shtyrë zyrtarisht ndeshjen Valencia-Real Madrid, për shkak të tragjedisë së përmbytjeve në Valencia, sërish mediat spanjolle kanë në qendër të vëmendjes zhvillimet më të fundit tek klubi mbretëror.
Kështu orët e fundit, po flitet gjithmonë e më shumë, për trajnerin e ri të Real Madrid, me teknikun Carlo Ancelotti, që me shumë gjasa do të ketë sezonin e tij të fundit në drejtimin e madrilenëve.
Në Spanjë janë të sigurt se pasuesi i Ancelottit do të jetë trajneri aktual i Bayer Leverkusenit, Xabi Alonso. Ish-mesfushori madrilen do të rikthehej në këtë mënyrë tek ish klubi i tij, me të cilin ka luajtur si futbollist për pesë sezone. Ndërkohë po këto media flasin se edhe aventura e Ancelotti me ekipin madrilen nuk do të përfundojë këtu, pasi në nderim të gjithë trofeve që italiani i ka dhuruar klubit ndër vite, Florentino Perez duket se do ta propozojë si ambasadorin më të ri të klubit. Ndërkohë arsye për të rikthyer buzëqeshjen edhe për sulmuesin brazilian Vinicius.
I zhgënjyer për mosfitimin e “Topit të Artë”, klubi i tij Real Madrid do ta “ngushëllojë” në një farë mënyre Viniciusin, duke i ofruar rinovimin e kontratës brazilianit, e cila skadon në 2027. Ende nuk dihen detajet e kontratës së re të Vinicius, por ajo që dihet me siguri është fakti që prej disa muajsh drejtuesit madrilenë kanë nisur kontaktet me agjentin e lojtarit, me Vinicius që do ta mirëpriste me shumë dëshirë një zgjatje të qëndrimit të tij në Madrid.