Realizmi magjik
Nga: Bajram Karabolli
Letërsia latinoamerikane është një kontinent më vete. Natyrisht, në relievin e këtij kontinenti ka male, vargmale, kodra e lugina, ashtu siç ka edhe hapësira të shkreta. Unë besoj se kështu janë të gjitha kontinentet letrare. Por, janë pikërisht shkrimtarët latinoamerikanë të gjysmës së dytë të shek. XX, si Luis Borhes (Jorge Luis Borges – Argjentinë), Aleho Karpentier (Alejo Carpentier – Kubë), Migel Anhel Asturias (Miguel Ángel Asturias – Guatemalë), Huan Rulfo (Juan Rulfo – Meksikë), Karlos Fuentes (Carlos Fuentes – Meksikë), Hulio Kortasar (Julio Cortázar – Argjentinë), Gabriel Garsia Márkes (Gabriel García Márquez – Kolumbi), Mario Vargas Josa (Mario Vargas Llosa – Peru), Hose Donoso (José Donoso – Kili), Álvaro Mutis (Kolumbi) etj., të cilët përbëjnë atë plejadë të mrekullueshme që krijoi këtë rrymë letrare të pashoqe, rrymë që bëri epokë dhe hyri në historinë e letërsisë botërore me emrin “Realizmi magjik”.
Janë pikërisht këta shkrimtarë latinoamerikanë, magjikorealistë, të cilët shpërthyen – mendoj se në këtë rast shërben kjo fjalë – atë që quhet “boom” i atyre viteve. Pra, është një rrymë arti që u zhvillua në gjysmën e shek. XX dhe që u shpreh, kryesisht, përmes letërsisë, por, herë-herë, edhe përmes pikturës apo kinematografisë.
Realizmi Magjik është një rrymë artistike që paraqet elemente magjikë apo situata alogjike, krahasuar me vepra të tjera letrare të konsideruara më realiste apo më normale. Është një strategji letrare, ku shqetësimi dhe interesi stilistik është që ta paraqitë të zakonshmen dhe të përditshmen si diçka areale dhe të habitshme. Është një lloj fiksioni i kultivuar kryesisht nga shkrimtarët iberoamerikanë.
Realizmi magjik ishte përgjigjja ideale për autorët, të cilët, duke jetuar në vendet ku diktatura dhe censura korruptonin të gjitha ambientet e shoqërisë, mundën të shpreheshin, duke lejuar, përmes fantazisë, të shpjegonin elemente të realitetit, pa u ekspozuar ndaj censurës, ose duke qenë në mërgim.
Termi “realizëm magjik”, për herë të parë qe përdorur në vitin 1925 nga kritiku gjerman Franz Roh, i cili, me këtë term i referohej një stili të veçantë në pikturë, ose më saktë rrymës ekspresioniste të këtij arti ku, sipas tij, sfondi realist i një pikture përmbante edhe elementë fantastikë dhe irealistë. Më vonë, ky term u përdor për të karakterizuar stilin e disa piktorëve amerikanoveriorë si Paul Cadmus, Ivan Albright dhe Georg Tooker, midis artistëve të tjerë të dekadave 1940 dhe 1950. Veç, nëse në artet vizuale ky term i referohet një vepre me elementë realistë ekstremë, në letërsi, përkundrazi, i referohet një vepre me elementë magjikë dhe alogjikë.
I pari që e përdori termin “realizëm magjik” në kritikën letrare, duke emëruar kësisoj një stil të pasur letrar latinoamerikan, qe studiuesi dhe kritiku portorikan Anhel Flores (Angel Flores). Më vonë pati edhe ndonjë studiues që, veç shkrimtarëve iberoamerikanë, përfshiu në këtë rrymë letrare edhe ndonjë shkrimtar nga kontinente të tjerë si Günter Grass, Milan Kundera, apo Salman Rushdie.
“Realizmi magjik” është një rrymë letrare që ka precedencë, duke nisur qysh nga shek. XVI me stilin letrar barok, më pas me romanin gotik të shek. XVIII, por edhe më vonë në shek. XX, me lëvizjen surrealiste. Gjithsesi, dalëngadalë, realizmi magjik zuri vend në vetëdijen letrare botërore si një rrymë avangarde e viteve ’50-’70 të shek. XX, me atdhe Amerikën Latine. Shkaku pse u zhvillua dhe lulëzoi pikërisht në këtë kontinent dhe në këtë periudhë, sipas shumë studiuesve, ishte mospajtimi midis kulturës së teknologjisë dhe kulturës së supersticionit, po ashtu, siç u tha më lart, edhe periudha e lulëzimit të diktaturave politike në këto vende që, me ushtrimin e censurës, e ktheu fjalën në një mjet tejet të çmuar dhe të manipulueshëm.
Kritikët letrarë kanë përdorur fjalën “magjik” për të emërtuar një prirje të caktuar në novelistikën e shek. XX, e cila karakterizohet nga nderimi për mitet dhe përdorimin e tyre brenda një konteksti realist. Jo pak studiues përfshijnë aty edhe të mbinatyrshmet, mitiket dhe besimet popullore. Nuk bëhet fjalë për ta “paraqitur magjinë sikur të ishte reale”, por për të paraqitur “realitetin sikur të ishte magjik”. Kemi të bëjmë me një fokusim të së mbinatyrshmes. Pra, është një lloj fiksioni i kultivuar, kryesisht, nga romancierët iberoamerikanë, gjatë gjysmës së dytë të shek. XX. Realizmi Magjik, ashtu si edhe pjesa e madhe e letërsisë së kësaj periudhe, pa dyshim që, thelbësisht, është një rrymë letrare e moderuar. Në veprat e shkrimtarëve magjiko-realistë krijohet një botë ku fantastikja dhe magjikja bashkekzistojnë me realen, sikur të kishin lindur nga e njëjta brendi e gjërave. Veç kjo rrymë letrare e paraqet realitetin narrativ të përzier me elementë fantastikë dhe përrallorë, jo aq për ta stolisur atë sesa për të zmadhuar kontradiktën e tij të brendshme.