Realizohet fluturimi më i gjatë në botë nga Nju Jorku në Sydney
Një avion i kompanisë australiane “Qantas” ka arritur të vendosë një rekord të ri për udhëtimin më të gjatë në histori. Një avion i tij i nisur nga Nju Jorku ka arritur në Sydney pas 19 orësh!
Ky ishte një lloj eksperimenti për të testuar efektet e atij që do të jetë fluturimi më i gjatë komercial, duke llogaritur lodhjen që përjetojnë si pasagjerët, ashtu edhe ekuipazhi.
“Qantas” e ka quajtur si “historik” momentin kur avioni, “Boeing 787-9 Dreamliner” është ulë pa probleme në tokë, ndërsa nuk kishte kryer asnjë ndalesë rrugës.
49 persona ishin në bord, me qëllimin që të arrihej një peshë minimale dhe të garantohej autonomia e nevojshme e mjetit.
Testet përfshinin monitorimin e valëve cerebrale të pilotit dhe nivelin e melatoninës tek pasagjerët. “Jemi vërtet të lumtur me mënyrën se si shkoi fluturimi dhe është mirë të kesh disa të dhëna që na duhen për të ndihmuar në vlerësimin e fillimit të një shërbimi të rregullt për këtë rrugë”, ka thënë kapiteni Sean Golding, i cili drejtoi katër pilotët.
Kompania është duke planifikuar të kryejë më vonë gjatë vitit një fluturim të ngjashëm prove, këtë herë nga Londra drejt Sydneyt.