Rebelët sirianë largohen nga një zonë e Gutas Lindore
Rebelët sirianë janë larguar në grupe nga Guta Lindore duke i dorëzuar vendin ushtrisë siriane sipas një marrëveshje për evakuim të ndërmjetësuar nga Rusia.
Vendimi i grupit, “The Ahrar al-Sham” për të braktisur qytezën Harasta më 22 mars, përbën fitoren më të madhe për qeverinë kundër rebelëve prej betejës së Alepos më 2016.
Rreth 30 autobusë janë larguar nga Harasta së bashku me rebelët dhe familjet e tyre.
Mediet shtetërore siriane ka thënë se mjetet kanë bartur 1 580 persona, duke përfshirë 413 luftëtarë rebelë, të cilëve u është siguruar zonë e sigurt drejt veriperëndimit të Sirisë.
Një njësi mediale ushtarake e udhëhequr nga Hezbollahu, aleati i presidentit sirian, Bashar al-Assad, ka thënë se 1,500 luftëtarë dhe 6,000 familjarë janë pajtuar që të largohen.
Ofensiva në Gutan Lindore, rajon i udhëhequr nga rebelët, ka shënuar disa nga sulmet më të mëdha në luftën civile shtatëvjeçare në Siri, raporton “Rel”.
Vetëm në muajt e fundit kanë vdekur rreth 1,500 persona nga bombardime të shumta, të cilat janë kundërshtuar nga shumë vende në botë.
Ministria e Mbrojtjes në Rusi pretendon se prej kur Rusia ka nisur “pauzat humanitare”, një muaj më parë, rreth 95 000 persona janë larguar nga Guta Lindore drejt territorit qeveritar.
Rebelët e Harastas do të dërgohen në provincën Idlib në veriperëndim të vendit, zonë e cila është shndërruar në strehën kryesore për kryengritësit që pajtohen të largohen nga territori sipas marrëveshjeve me Qeverinë.