“Reçak: historia e një krimi lufte”, testament i Walkerit për krimet në Kosovë

16 janar 2025 | 08:19

Në 376 faqe, William Walker që udhëhoqi Misionin Verifikues në Kosovë ka përshkruan fëmijërinë e karrierën e tij. Kujtesën e ka munduar më shumë për vitin 1998-1999, kur edhe qe i pranishëm në Kosovë. E për Masakrën e Reçakut shkruan në detaje. Vepra e tij vjen si dëshmi e dorës së parë nga njeriu që i tregoi botës për krimet kundër njerëzimit në Kosovë. Të mërkurën pasdite ka takuar lexuesit, e në mesin e tyre ka qenë edhe përkthyesja e cila kishte më 16 janar të vitit 1999 në Reçak

Marrja e një autografi nuk bëhet thjesht për të pasur një kujtim të autorit të librit. Të paktën jo në këtë rast. Radha e njerëzve brenda librarisë tregon mbi të gjitha mirënjohje. Veç duartrokitja kur ambasadori William Walker hyn në ambientet e librarisë, dëshmon se të pranishmit e ndiejnë njëfarë borxhi për t’i thënë faleminderit. E falënderimet derisa Walker nënshkruan librin “Reçak: historia e një krimi lufte” janë të ndryshme.

Në 376 faqe, Walker që udhëhoqi Misionin Verifikues në Kosovë ka përshkruan fëmijërinë e karrierën e tij. Kujtesën e ka munduar më shumë për vitin 1998-1999, kur edhe qe i pranishëm në Kosovë. E për Masakrën e Reçakut – fshat i Shtimes – shkruan në detaje. Vepra e tij vjen si dëshmi e dorës së parë nga njeriu që i tregoi botës për krimet kundër njerëzimit në Kosovë.

“A mund ta puthi në shenjë falënderimi për atë që ka bërë?”, ka pyetur një burrë rreth të 60-tave, derisa Walker ia ka nënshkruar librin. Me arsyetimin se është kohë gripash, stafi nuk e ka lejuar. Ky ka qenë veç një rast i shprehjes së mirënjohjes, falënderimit e admirimit për ambasadorin Walker të mërkurën mbrëma në librarinë “Dukagjini” në Prishtinë. E lidhja e Walkerit me Prishtinën e Kosovën do të zinte fill në një takim të gjatë të 23 tetorit të vitit 1998 midis diplomatit të njohur amerikan, Richard Holbrooke dhe presidentit të asokohshëm të ish-Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq. Atë ditë, Holbrooke në konferencë për medie do të tregonte se ishte marrë vesh me Millosheviqin që në Kosovë të qëndronte një forcë paqeruajtëse ndërkombëtare. Gjatë gjithë viteve ’90, Millosheviqi kishte këmbëngulur se telashet në Kosovë janë çështje të brendshme të ish-Jugosllavisë e edhe të Serbisë. Tash ishte bindur që Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) të shtonte praninë e saj në Kosovë dhe në kuadër të saj të ekzistonte Misioni Verifikues në Kosovë, i përbërë nga zyrtarë prej mbi 50 shteteve anëtare të OSBE-së si organizatë amë. Për praninë e OSBE-së, diplomati amerikan e kishte bindur Millosheviqin me 13 tetor. Ama, veç pas kërcënimit me ndërhyrje të NATO-s.

Siç rrëfen në libër, Walker ishte duke kositur barin në oborrin e tij në Rockville, Maryland kur pranoi një telefonatë nga Tom Pickering, asokohe nënsekretar i Shtetit për Çështjet Politike dhe u morën vesh që Misioni të udhëhiqej nga Walkeri.

Në libër, Walker tregon se detajet e marrëveshjes midis Holbrooke dhe Millosheviqit për Misionin Verifikues në Kosovë nuk qenë kurrë plotësisht të sakta. S’kishte tekst të nënshkruar pas negociatave që përshkruhen edhe si private.

“Holbrooke më tha se kjo paqartësi ishte e qëllimshme. Mungesa e specifikave, sipas tij, na jepte lirinë për ta interpretuar marrëveshjen në përputhje me nevojat dhe objektivat tona. Fatkeqësisht kjo nënkuptonte se edhe Millosheviqi mund ta bënte të njëjtën gjë”, shkruan Walker. Ai tregon në detaje ditën kur arriti në Prishtinë, vendin ku u vendos, takimet e shumta e deri te daljet në terren në shumë pjesë të Kosovës. E me t’u kthyer nga pushimet dimërore nga SHBA-ja në janar të vitit 1999, do ta priste një tragjedi. Me 15 janar, forcat serbe ia mësynë fshatit Reçak duke vrarë e masakruar 45 civilë.

Informatat që kishte marrë Misioni tregonin se bëhej fjalë për përplasje midis UÇK-së e forcave serbe dhe ishin nja katër a pesë të vrarë. Më 16 janar, Walker kishte vendosur që të dilte vetë në terren. Siç tregon, fillimisht kishte parë një trup pa kokë. Sqaron se qartazi bëhej fjalë për një bujk me veshje të tillë e çizme llastiku që s’kishte të bëjë me UÇK-në. Duke u ngjitur në kodrinë, kishte parë edhe disa trupa të tjerë.

“Më thanë se kishte edhe trupa të tjerë më tej në luginë. Në atë moment kisha parë mjaftueshëm. Konsideroj veten se jam veteran i ashpër ndaj dhunës dhe mizorisë së njeriut ndaj njeriut, por ajo që pashë në Reçak ishte diçka përtej asaj. Po shihja masakrën e qëllimshme dhe brutale të burrave dhe të djemve të një fshati”, shkruan Walker. Pak pa ikur nga vendngjarja kishte vendosur që me t’u kthyer në Prishtinë të mbante një konferencë për medie. Gjatë rrugës, edhe në zyrë para konferencës do t’i telefononte komandantit të NATO-s, gjeneralit Wesley Clark për t’i thënë se: “Pashë një skenë revoltuese. Do t’i tregoj botës se ç‘pamë sot”. E po ashtu do të telefononte edhe atë që njihej si buldozeri i diplomacisë amerikane, Richard Holbrooke.

“Mund ta harrosh Çmimin Nobel për Paqe”, do t’i drejtohej atij duke i bërë me dije se zgjidhja e konfliktit s’ishte e mundur nëpërmjet negociatave.

“Pavarësisht se më kujtohen saktë ato telefonata, e rëndësishme është se deklarata ime për mediet nuk u ndikua nga palë të tjera, as nga Clark, as nga Albright, as nga OSBE-ja apo kushdo tjetër”, shkruan Walker. Përballë syve të botës do të tregonte krejt çfarë kishte parë.

“Edhe pse nuk jam jurist, nga ajo që pashë personalisht, nuk hezitoj ta përshkruaj këtë ngjarje si një masakër, një krim kundër njerëzimit. Po ashtu nuk hezitoj të akuzoj forcat e sigurisë të Qeverisë për përgjegjësinë në këtë ngjarje”, kishte thënë ai duke i dhënë botës jehonë të saktë për krimet e Serbisë në Kosovë. Do të kërkonte që bota ta dënojë këtë mizori e që Qeveria e ish-Jugosllavisë t’i tregojë emrat e të gjithë të përfshirëve në operacion.

“Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë duhet të vijë, me viza ose pa to, me ftesë të Qeverisë së Jugosllavisë ose pa të për ta hetuar këtë mizori. Kjo duhet të realizohet brenda 24 orëve”, do të deklaronte ai. Konferenca për medie e Walkerit ishte njëfarë ndërrimi i epokës së qasjes së botës perëndimore karshi konfliktit në Kosovë. Tashmë s’bëhej fjalë për përplasje midis ish-Jugosllavisë dhe UÇK-së, por për krime kundër njerëzimit. Ndër të parët, rastin do ta dënonte presidenti i asokohshëm i SHBA-së, Bill Clinton, mandej Grupi i Kontaktit e disa udhëheqës shtetesh veç e veç. Walker do të shpallej “Persona non-grata” me afat 48 orë për ta lënë ish-Jugosllavinë e Luise Arbour, kryeprokurore e përgjithshme e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë kishte udhëtuar për në Shkup. Misioni i OSBE-së e kishte pritur në kufi me Kosovën, por nuk i ishte lejuar hyrja. Tashmë bota kishte ndërruar qasje dhe në shkurt do të nisnin bisedimet midis palës shqiptare të Kosovës dhe autoriteteve të ish-Jugosllavisë në Rambouillet që çuan deri te bombardimi i NATO-s në Kosovë.

Walker ka detaje të shumta në libër kur flet për periudhën para dhe pas Masakrës së Reçakut. Por atë ditë e sheh si më të tmerrshmen.

Ashtu atë ditë e kujton edhe Gjylsym Lemaxhema, ish-përkthyese në misionin e OSBE-së në zyrat e Ferizajt. Me bexhin e këtij misioni në dorë, të mërkurën mbrëma ajo i është ofruar Walkerit për ta falënderuar personalisht.

“Zotin Walker e kam takuar në Reçak. Sot erdha personalisht ta falënderoj atë. Ky ka qenë reagimi i tij që bota ndërmori diçka që një herë e përgjithmonë të na e largojë armikun nga Kosova. Zoti Walker vetë e pa ngjarjen, e përjetoi atë ngjarje të tmerrshme ku truri s’mund ta imagjinojë se çfarë mund t’i bëjë njeriut. Këtë e ka bërë armiku serb”, ka thënë ajo. Sipas ish-përkthyeses e ish-mësimdhënëses së gjuhës angleze, Walker meriton falënderime e mirënjohje përmbajtjesore.

“Ne kemi qenë në vendin tonë, kemi dhënë kontributin tonë. Një prej punëve më të vështira për mua ka qenë Reçaku. Është libër shumë i domosdoshëm për gjeneratat tona të reja, por edhe për botën”, ka thënë Lemaxhema që tash është në pension. Sipas saj, libri është një arkiv që bota ta dijë se çfarë është bërë.

“Historia nuk bën të ndërrohet as të fshihet. Historia duhet të mbahet mend, jo për të krijuar urrejtje, por të dihet se çfarë ka ndodhur në Kosovë”, ka thënë ajo.

Latif Mustafa, përgjegjës për komunikim në librarinë “Dukagjini” ka thënë se interesimi për librin është i jashtëzakonshëm.

“Interesimi është i madh pasi ambasadori Walker është bërë edhe emblemë e lirisë së Kosovës. Ky libër do t’u shërbente njerëzve që janë të interesuar për historinë e vonshme të Kosovës, atyre që merren me studime diplomatike dhe atyre që dëshirojnë që të arkivojnë në mbamendje ndodhitë e një versioni të vërtetë, të dorës së parë të një njeriu që i shpalosi fytyrën regjimit gjenocidal të Millosheviqit”, ka thënë ai.

William Walker (89) për dy orë të mërkurën ka nënshkruar libra. Të njëjtën gjë do ta bëjë edhe sot (e enjte) prej orës 18:00 deri në 20:00. Do të nënshkruajë rrëfimin që botës ia hapi sytë në raport me Kosovën në janar të vitit 1999. Rrëfimin mbi krimet kundër njerëzimit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rasti i vrasjes së Liridona Ademajt, ka përfunduar dje me…