Recension i Abdulla Azizit për librin “Ushtria Çlirimtare e Kosovës, vlerë kombëtare”
Të nderuar të pranishëm
Kumtesat nga sesioni shkencor “Ushtria Çlirimtare e Kosovës, vlerë kombëtare” ku janë paraqitur 23 autorë shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare, me punimet e tyre secili në formën e vet patën një objektiv të përgjithshëm dhe te pakontestueshëm “mbrojtjen shkencore të vlerës më të rëndësishme kombëtare të shqiptarëve, luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Duke lexuar kumtesat brenda këtyre kopërtinave të librit, ajo çka të bie në sy është gjetja e fjalëve kyçe. Secili nga autorët mund ta gjen veten në fjalët kyçe të cilat do t’i lexojë:
– fazat e veprimit të UÇK-së
– Organizimi i UÇK-së
– Konferenca e Rambujesë
– Rruga e nderit dhe dinjitetit
– Faktori ndërkombëtar
– Roli i UÇK-së në shtetformim
– Pritja e refugjatëve në Shqipëri
– Përmasa kombëtare e luftës
– Lufta e madhe e një populli të vogël
– Roli i diplomacisë
– Gjurmët e luftës së UÇK-së në arkivat
– Mbështetja e Shqipërisë dhënë UÇK-së
– Kundërshtimet ndaj UÇK-së
– Dëshmorët nga Maqedonia e Veriut
– Bashkëpunimi me NATO-n
– UÇK-ja në letërsi dhe në këngët popullore
– Shkëmbimi i robërve të luftës etj.
Secili nga autorët, nga këndi i fushëveprimit të tij profesional ka dhënë një kontribut madhështor në përshkrimin e veprimtarisë së UÇK-së si vlerë e popullit kosovar, e mbështetur nga vëllezërit e tyre në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut si dhe nga viset e tjera shqiptare.
UÇK-ja në historinë e popullit shqiptar karakterizohet me disa vlera të veçanta si:
– ushtri mbarëkombëtare e të gjithë shqiptarëve në rajon dhe anembanë botës
– ushtri që në krahët e se cilës radhiten edhe vullnetarë nga shtetet mike të Kosovës
– ushtri revolucionare që me gjakun e saj çliroi popullin e vet nga pushtuesi sllav
– ushtri 5-fish me e vogël përballë armikut me armatim të sofistikuar dhe teknikë luftarake
– trimëria dhe heroizmi i pashoq i ushtarëve të UÇK-së, morali i tyre i lartë si dhe disiplina ushtarake
Botimi të cilën e keni në duar paraqet një kontribut të rëndësishëm akademik për audiencën kosovare dhe më gjerë. Autorët këtu bëjnë një analizë të thelluar të veprimtarisë së UÇK-së, nxjerrin konkluza me bazë shkencore për retrospektiven historike të ngjarjeve dhe ndodhive reale, duke përgënjeshtruar të pavërtetat dhe trillimet për zbehjen e idealit kombëtar të UÇK-së.
Rëndësia e këtij botimi del në pah duke parë vëmendjen në rritje që po i kushtohet aktivitetit shtetformues të UÇK-së në etablimin e një shteti sovran, si subjekt i barabartë në komunitetin ndërkombëtar dhe në marrëdhëniet me vendet tjera.
Ky tekst bëhet i rëndësishëm si në kuadrin e një vlere të shtuar për historinë e shtetformimit të Kosovës po ashtu edhe në studimet e bashkëkohore në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe sigurinë ndërkombëtare në mjedisin akademik shqiptar.
Autorët me një seriozitet shkencor trajtojnë rëndësinë dhe kontributin e UÇK-së si lëvizje çlirimtare popullore që ka kontribuar në sistemin e sigurinë ndërkombëtare rajonale, veçanërisht kur komuniteti ndërkombëtar kishte toleruar gjatë kohe pushtimin dhe gjenocidin mbi popullin autokton kosovar në trojet e veta. Aq më tepër në një periudhe kur një pjesë e madhe e shteteve në komunitetin ndërkombëtar mbanin në konsideratë interesat miqësore me sllavët, në dëm të të drejtave elementare njerëzore të shqiptarëve.
Po ashtu, autorë brenda këtij botimi potencojnë dështimin e rolit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, si organi kryesor për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, dhe pakujdesinë e tij për mbrojtje të vlerave civilizuese ndërkombëtare dhe të sigurisë kolektive për shkak të mungesës së konsensusit nga shtetet anëtare të përhershme të Këshillit te Sigurimit.
Po ashtu edhe dilemat rreth lejueshmërisë në dispozitat e Kartës së OKB-së, zakonit ndërkombëtar si dhe praktikës së kombeve të qytetëruara të cilat e arsyetojnë praktikën e ndërhyrjes humanitare. Në këtë kontekst, është analizuar intervenimi humanitar në Kosovë, duke paraqitur argumente pro një intervenim te domosdoshëm ne rrethanat e asaj kohe. Me mjaft mprehtësi shtjellohen sfidat me të cilat u ballafaqua shteti i Kosovës përpara periudhës së intervenimit humanitar dhe shkeljet e te drejtave themelore njerëzore të garantuara nga e drejta ndërkombëtare si ius cogens. Duke u bazuar në tërësinë e instrumenteve juridike të karakterit ndërkombëtar, autoret japin një qasje komparative shkencore edhe rasteve tjera lidhur me intervenimin humanitar. Këtu konstatohet se intervenimi humanitar në Kosovë ishte i domosdoshëm (edhe përtej mungesës së një Rezolute nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së), ashtu siç kanë konstatuar shumë kohë më parë autorë të shquar të së drejtës ndërkombëtare dhe zyrtarë të lartë nga bashkësia ndërkombëtare.
Ky botim posedon referenca dhe burime të rëndësishme nga autorë ndërkombëtar e vendor, ndërsa ajo që vlen të veçohet është se autoret në asnjë rast nuk bien nën ndikimin e vlerësimeve tjera paraprake, por përkundrazi ndërtojnë një qasje individuale të mbështetur përmes një analize të thelluar të fakteve.
Po ashtu, në mënyrë të detajuar në brendi të këtij botimi potencohen dështimet dhe sukseset e deritanishme të sistemit ndërkombëtar të sigurisë, madje sugjeron edhe reforma përmes të cilave do te ishin evituar mangësitë, ndërsa OKB do të bëheshte më efektive dhe më funksionale në garantimin e sigurisë ndërkombëtare. Anëtarët e Këshillit të Sigurimit, pranë OKB-së kanë interesa dhe vlerësime të ndryshme rreth natyrës dhe karakterit të rreziqeve e kërcënimeve ndaj paqes dhe sigurisë në botë, si dhe mospranimin e masave ndëshkuese ndaj shteteve apo aktorëve që shkelin kërkesat e Kartës së OKB-së. Kjo bën që shtetet ta kenë më lehte mosndërmarrjen e aksioneve për sigurimin e paqes nëse shkeljet i bën ndonjë shtet i fuqishëm apo aleat i tij.
Përpjekjet më serioze e parandalimit dhe ndalimit të konflikteve dhe ndërtimin e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare mund të bëhen vetëm përmes një OKB-je të reformuar dhe moderuar. Me të drejtë konstatohet se Kombet e Bashkuara janë dhe mbeten autoriteti më i lartë i sistemit të sigurisë kolektive në shkallë globale.
Duke u bazuar në argumentet e lartpërmendura, fuqishëm e përkrah botimin e kumtesave, ndërsa kontributi i autoreve nga profili i një intelektuali është shumë domethënës për popullin shqiptar në Kosovë dhe më gjerë, ndërsa ky tekst do t’u shërben jo vetëm studentëve dhe profesorëve, por edhe të gjithë të intersuarve tjerë si studiues të cilët do të merren me këtë problematikë, zyrtarë në institucionet qeveritare apo joqeveritare, si dhe lexuesit në përgjithësi.
(Abdulla Azizi, dekani i Fakultetit të Shkencave Shoqërore Bashkëkohore të Universitetit të Evropës Juglindore – Tetovë)