Recension për romanin “Shpella” të Bashkim Hysenit
Shkruan: Hanife Salihu
Romani “Shpella” i shkrimtarit Bashkim Hysenit është një roman i cili që në emërtimin e tij të bën që të fillosh të imagjinosh se çfarë vendi i frikshëm, apo vend i pazbuluar dhe pajetë, mund të jetë shpella? Shpella, e cila zakonisht cilësohet si vend i errët, i trishtë, apo po të mendojmë në retrospektivën e jetës njerëzore, të kujton banimin e njerëzve në shpella si një vendbanim i sigurt.
Por, këtë përshtypje fillestare të emërtimit lexuesi nuk e has në romanin e shkrimtarit Bashim Hyseni, ngaqë autori në roman flet për shpellën e shpresës, për shpellën e përjetimeve të ditëve më të vështira të popullit shqiptar.
Autori flet për shpellën që është bërë histori dhe i takon lavdisë e krenarisë së popullit tonë, për të kaluarën e afërt për mbijetesë. Prandaj, tematika e romanit “Shpella” është një trajtesë realiste e përjetimeve të luftës çlirimtare për liri, roman me përshkrime nga jeta që po jetojmë, nga jeta që prek edhe ditët e sotme. Autori në roman ka përdorur një gjuhë që të rrëmben dhe të futë në përsiatje e dilema të pafundme.
Kryeprotagonisti i këtij romani është në mesin tonë. Ky protagonist, që është bërë përjetues i ngjarjeve, është vetëm një nga mijëra përjetues gjithandej Kosovës sonë të lirë. Romani “Shpella” të ngjason me romanet e letërsisë së huaj apo edhe letërsisë shqiptare me tematikë nga lufta, por e veçanta e tij është se tematika e romanit “Shpella” është inspirim nga lufta e fundit e UÇK-së. Një luftëtar lirie, siç është autori i romanit “Shpella”, ka shumë për të treguar për luftën, si një tmerr, ashtu siç është tmerr të jeni në një shpellë. Dhe ky përshkrim, nga tmerri i shpellës së luftës bën një hapërim të mëtejshëm dhe na e përshkruan tmerrin jashtë shpellës, që simbolizon ditët e pasluftës, pra jetën në liri.
Kemi, po ashtu, shkrimtarë që në të kaluarën kanë qenë pjesëmarrës në luftë si luftëtarë lirie. Ashtu siç e kemi autorin e romanit shpella, luftëtar lirie.
Autori me ndjeshmëri të lartë e kujton shokun e luftës dhe nuk mund ta shkëputë mendimin duke e pyetur veten se: “A më mirë do të ishte i vdekur si Galani, shoku i luftës që është dëshmor, apo atë që e përjetoi pas luftës”, Gafa?! Pra, diçka e paparashikueshme na del gjendja e pasluftës.
Autori në tematikën e romanit na paraqet tema e personazhe të jetës reale/konkrete.
Në romanin “Shpella” e kemi kryeprotagonist një djalë të entuziazmuar për një të ardhme të ndritur të vendit, i cili mundohet që gjithë diturinë e fituar në një vend evropian ta sjellë në vendin e tij të dashur. Ky djalosh/ky burrë i quajtur Gafa, i cili ishte i gatshëm të shkrihet e të bëhej fli për atdheun, kur kishte nevojë atdheu, e si mos të shkrihej tani në liri për atdheun?!
Gafa, i cili nuk e kishte ndihmuar Galanin të lirohej nga plagët e luftës që kishte në shtat, e gjatë gjithë kohës e përcillnin vuajtjet e Galanit, lutjet e tij, që t’ia jepte armën në mënyrë që t’ia merrte vetës jetën, ato lutje ushtonin në kokën e Gafës.
Ndoshta, armën në luftë që e kërkonte Galani për t’ia marrë vetes jetën në liri, po e kërkon Gafa, pra autori tërheq një paralele të vuajtjeve si të Galanit në luftë ashtu edhe të Gafës pas luftës. Gafa, i cili në punimin e seminarit të tij në Skoci shkruan për eutanazinë, psikoligjikisht në heshtje kërkohet arma, pasi liria është ngulfatur nga matrapazë të ndryshëm, nga përfitues të ndryshëm, që nuk e vritnin mendjen për Kosovën.
Shkrimtari, te kryprotagonisti kryesor Gafa, paraqet edhe ditët e pasluftës që i përjeton çdo ditë si drejtor i drejtorisë, ajo që e bën të ndihet keq dhe e lëndon shpirtërisht ishte, që ishin bërë raste sociale luftëtarët e lirisë, prindërit e dëshmorëve e skamnorë të shumtë. Autori me mjeshtëri të madhe artistike shpërfaq ndikimin e tij emocional nga koha e luftës të shoqëruar me ndjenja të përziera sociale, politike e morale të shoqërisë. “Dheu mbulon gjithçka dhe tret çdo turp. Për mua edhe dhe nuk kishte mjaftueshëm, me dushk më keni mbuluar. Do t’ju ndodhë shpesh të mërziteni, sidomos kur do të dilni në zgjedhje”.
Autori në roman trajton edhe imoralitetin e njerëzve të pamoralshëm, të atyre që në moshë të shtyrë iu vardisin vajzave të reja. Kjo pjesë e ngjarjeve të këtilla përshkruhet me dëshpërim. Pra, autori në roman i bie kambanës për ndërgjegjësim edhe në aspektin moral. Ndërsa epilogu i romanit është i papritur, derisa lexuesi pret epilogun e romanit me temat e trajtuara më lart, autori paraqet të papriturën. E papritura u bë temë e hetimeve, pasi kishin filluar hetimet për “krime lufte” që kanë bërë çlirimtarët.
Për ta rikthyer vëmendjen tek e vërteta, autori e sjell në roman një kolonel amerikan që kishte ardhur për këtë mision, i cili e vizitoi “Shpellën” ku, aty brenda shpellës, pat dhimbje të shumta, shërim të plagëve, vdekje, tmerr e mungesë oksigjeni. Derisa Gafa i tregoi për shpellën, nuk kishte si mos t’i tregonte edhe për shokun e tij, Galanin, që i vështronte përballë i skalitur në bust.
E koloneli amerikan, i prekur nga rrëfimi i ngjarjeve të luftës së pabarabartë, i një lufte të drejtë për liri, tha: “You should be proud with him” (Ju duhet të jeni krenar me të”). Dhe, unë në fund, dua ta mbyll fjalimin tim me fjalët e kolonelit amerikan: z. Hyseni, ju dhe të gjithë luftëtarët e lirisë ndjehuni krenarë për uniformën çlirimtare që bartet për çlirim të vendit.
Urime e suksese, z. Bashkim Hyseni!