RECENZION: ÇËSHTJA SHQIPTARE PËRBALLË DIPLOMACISË DHE GJEOPOLITIKËS RUSO MADHE (1856-2022)
DISKURS DHE ANALIZË POLITIKE E GJEOPOLITIKE PËR FEDERATËN RUSE LIDHUR ME PUSHTIMIN E NJË PJESE TË UKRAINËS
LUFTA RUSO – UKRAINASE DHE AGRESIONI RUS KUNDËR UKRAINËS KA SHKAQE HISTORIKE, POLITIKE, EKONOMIKE DHE USHTARAKE – GJEOPOLITIKE
Prof. dr. Eqrem ZENELAJ
(Kalorës i urdhrit të Skënderbeut)
Më 24 shkurt 2022, Rusia filloi pushtimin në një shkallë të gjerë të Ukrainës, e që ky përshkallëzim filloi në vitin 2014, ku në vitin 2021, Putini kërcënoi zgjerimin e NATO-s drejt lindjes.
Ditë më përpara pushtimit, Rusia njohu zyrtarisht dy shtete të vetëshpallura brenda kufijve të Ukrainës: Republikën Popullore të Donetskut dhe Republikën Popullore të Luhanskut. Më 21 shkurt, Forcat e Armatosura Ruse hynë në rajonin e Donbasit në Ukrainën lindore. Më 22 shkurt, Këshilli i Federatës Ruse autorizoi njëzëri Putinin të përdorte forcën ushtarake jashtë Rusisë. Pra, më 24 shkurt, Putini njoftoi një “operacion special ushtarak” në Ukrainën lindore, që në fakt me këtë titull Putini tentoi ta fshehë agresionin e hapur ndaj Ukrainës, duke e quajtur këtë operacion si: “Operacion special ushtarak”.
Duke u prononcuar lidhur me luftën ruso – ukrainase, Papa Françesku deklaron në një intervistë të faqes: “La Civiltà Cattolica”, se: “Ne po përjetojmë Luftën e Tretë Botërore”… dhe se është gabim të mendosh se është luftë vetëm mes Federatës Ruse dhe Ukrainës.
Prandaj, duke e parë interesimin e madh të lexuesit shqiptar, lidhur me librin tim me titull:” Çështja shqiptare përballë politikës dhe gjeopolitikës së Federatës Ruse”, dhe aktualitetin e temës, që e kam trajtuar në këtë libër, lidhur me gjeopolitikën rusomadhe përballë Evropës Perëndimore dhe vendeve të Ballkanit, që nga viti 1856 e deri më sot, vendosa që ta riaktualizoj dhe ta ridimensionoj temën në fjalë, me një analizë të shkurtër dhe të veçantë. Lidhur me këtë gjeopolitikë aktuale të Federatës Ruse, ku kjo gjeopolitikë po dëshmohet sot si problem ruso-ukrainas, e që në fakt është një vazhdim i Luftës së Ftohtë: Lindje – Perëndim apo më mirë të themi dëshmohet dhe riaktualizohet gjeopolitika ruse në Evropë, që nga viti1856 me Traktatin e Parisit. Kjo gjeopolitikë e vitit 1856 e Rusisë Cariste, atëherë e sot ngel e njëjtë lidhur me pushtimin e Krimesë dhe Detin e Zi, si dhe daljen në ujërat e nxehta; dikur, si Rusi Cariste, pastaj si BRSS, e së fundmi si Federatë Ruse, si pika strategjike ushtarake në marrëdhëniet ndërkombëtare, e sidomos, që nga periudha e Luftës së Ftohtë e deri në ditët e sotme me agresionin rus ndaj Ukrainës.
Në krizën politike të ish-BRSS dhe dezintegrimin e saj, shumë shtete dolën të pavarura. Kjo nuk ishte dëshirë e Kremlinit zyrtar e as doktrinës së saj gjeopolitike, por si rezultat i garës në armatim, ku Rusia socialiste u varfërua dhe u detyrua të lirojë ca shtete të Bashkimit Sovjetik, që ta kenë pavarësinë e vet. Kjo ishte politikë e mençur e Gorbaçovit: Glasnost dhe Perestrojka me synimin, që një pjesë e republikave të fitojnë pavarësinë e Rusia të lirohet nga një barrë e rëndë ekonomike, që e kishte kapluar. Kjo ndodhi, jo pa pasoja, sepse Gorbaçovi u arrestua nga gjeneralët rusë, në krye me Jazovin, ku kjo, në fakt, ishte një puç ushtarak i politikës së vjetër dhe tendencave hegjemoniste, që BRSS të jetë superfuqi dhe të jetë përballë – Paktit NATO.
Pas dështimit të puçit ushtarak në ish – BRSS, në kohën e Gorbaçovit dhe dështimin e këtij puçi të gjeneralëve rusë, në krye me Jazovin, erdhi deri te shpërbërja e BRSS-së dhe deri te pavarësimi i disa shteteve të Rusisë e ndër to edhe pavarësia e Ukrainës.
Pas Boris Jelcinit ishte Vlladimir Vlladimiroviç Putin ai që e trashëgoi Jelcinin në krye të Federatës Ruse, ku ky menjëherë filloi agresivitetin ndaj republikave të pavarura.
Federata Ruse ishte pajtuar me pavarësimin e tyre, por me disa kushte, si vijon:
1. Shtetet e pavarura, si Ukraina nuk guxojnë të anëtarësohen në NATO, siç ndodhi me shtetet e ish- bllokut komunist: Bullgaria, Rumania, etj.
2. Këto shtete duhet që ta nënshkruajnë një deklaratë, sipas së cilës ato heqin dorë nga e drejta e trashëgimisë, që të jenë anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurisë, por këtë të drejtë ia bartin Federatës Ruse.
3. Në një mënyrë apo tjetër ato duheshin të jenë lojale të Federatës Ruse (ashtu si është tani Bjellorusia, në krye me diktatorin, Llukashenko).
Rusia e Putinit, vazhdimisht, tentonte që në krye të Ukrainës të vinte kukulla të saj, që do të ndjekin vartësinë ndaj Moskës zyrtare dhe të jenë kukulla të Putinit.
Putini, një njeri i shërbimit sekret të ish-BRSS-së, që shërbeu edhe në Gjermaninë Lindore, ndërmori një politikë të re dhe kërcënuese ndaj Perëndimit dhe se përpjekja e tij ishte që NATO-n ta mbajë sa më larg Rusisë. Gjithashtu, i kërcënonte edhe vendet e tjera të dala nga BRSS-ja, që të mos anëtarësohen në Paktin NATO.
Kjo tregon se Karta e OKB-së tanimë shkelet dhe nuk respektohet as nga vetë Rusia, sepse në Kartën e OKB-së, që njëherit është edhe si një lloj Kushtetute, janë shkelur parimet themelore të saj, siç janë: Ndalimi i përdorimit të forcës, ndalimi i dhunës, kontributi për ruajtjen e paqes dhe sigurisë botërore dhe mosshkeljen e parimeve të Kartës së OKB-së.
HAMZ LLADROVCI, AUTORI I LIBRIT “ÇËSHTJA SHQIPTARE PËRBALLË DIPLOMACISË DHE GJEOPOLITIKËS RUSO MADHE (1856-2022)”
Pra, bazuar në Kartën e OKB-së, Federate e sotme Ruse është antiligjore, si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit.
Karta e OKB-së nuk ka ndryshuar dhe aty shënohet se anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit janë: BRSS, Kina, SHBA, Anglia, Franca, por jo Federata Ruse. Pra, kjo është një shkelje flagrante e Kartës së OKB-së, pasi që nuk është ndryshuar kjo Kartë dhe nuk ka ndonjë amendament shtesë. Ruajtja e paqes dhe e sigurisë nuk përfillet nga ana e Federatës Ruse, si dhe nuk kontribuon për paqe në marrëdhëniet ndërkombëtare, por si nxitëse e luftës e paqes dhe sigurisë, si dhe rrezikim i paqes ndërkombëtare.
Putini duke u përgatitur kohë me parë për invazion ushtarak kundër Ukrainës, ai më në fund e sulmoi një shtet sovran e të pavarur dhe një popull të tij vëlla, që është sllav e që flasin gati të njëjtën gjuhë dhe kanë një traditë të përbashkët. Kjo tregon se deri më tani të gjitha luftërat, por edhe kjo e fundit në mes të Rusisë dhe të Ukrainës janë luftëra politike e ushtarake për interesa ekonomike e gjeopolitike. Duke menduar se Federata Ruse do ta pushtojë për pak ditë Ukrainën, Putini i bëri llogaritë gabim dhe nuk i doli ashtu.
Bashkësia Ndërkombëtare e dënoi këtë akt, këtë pushtim të Ukrainës, sepse ishte një aventurë, e cila o do të sjellë fundin e Putinit dhe të Federatës Ruse ose do të bëhet shkak për një Luftë të Tretë Botërore.
Aneksimi i Krimesë ishte hapi i parë i agresionit rus. Pastaj kryengritjet proruse në disa pjesë të Ukrainës Lindore të Donetskut e të Luhanskut, nuk i mjaftonin Putinit, sepse ai donte në Kiev të vinte një qeveri kukull, në mënyrë që kjo qeveri të jete anti NATO dhe satelitë i Putinit. Deri më tani janë vrarë me mijëra civilë, ushtarë dhe njerëz të pafajshëm. Granatohen qytete e fshatra, si dhe depo municioni e gjithçka. Me ndihmën e Perëndimit, Ukraina u armatos dhe po armatoset në vazhdimësi, kështu që bota demokratike u rreshtua me Kievin zyrtar dhe ky pushtim i një pjese të Ukrainës nga Federata Ruse u gjykua nga e mbare bota demokratike, por jo edhe nga satelitët e Putinit, siç janë: Bashar el Asad, Kim Il Sung II, nga vendet arabe, e sidomos nga Irani. Nga humbjet e mëdha, Putini kërcënon me luftë bërthamore, sepse humbi mijëra ushtarë, tanke e mjete të tjera luftarake dhe më nuk i ka ngelur asgjë tjetër që mund t’i sjellë fitore, pos përdorimit të armëve nukleare bërthamore. Përdorimi i armëve bërthamore do të jetë fatal për njerëzimin, por do të sjellë edhe fatalitetin e vetë Federatës Ruse, ngase bota civilizuese, në krye me SHB-të do të përdorë, po ashtu, të gjitha mjetet konvencionale e jokonvencionale për ta thyer forcën ushtarake të Putinit. Pra, kjo luftë do të sillte Luftën e Tretë Botërore me pasoja të paparashikueshme.
Gjatë një adresimi, më 21 shtator, Putini njoftoi se do të mobilizojë deri në 300.000 rezervistë për të luftuar në Ukrainë. Ai, po ashtu, mbështeti planin për të aneksuar pjesë të Ukrainës, duke lënë të kuptohet se është i gatshëm të përdorë armë bërthamore për ta mbrojtur Rusinë. Mirëpo, gjatë këtij mobilizimi me mijëra ushtarë, që do të mobilizoheshin, ikën jashtë Federatës Ruse. Po ashtu, forcat demokratike në Rusi bënin demonstratë kundër politikës agresive të Putinit dhe kundër vazhdimit të luftës. Putini nuk përzgjedh aleatë, por çdo aleat i tij duhet të mbështetë këtë luftë të pakuptimtë, si: Llukashenko i Bjellorusisë, Kadirovi i Çeçenisë apo Irani i mullahëve, si dhe Koreja Veriore, që janë anti NATO e anti SHBA.
Pra, të gjithë këta aleatë të Putinit janë aleatë të panatyrshëm në shumë dimensione, si atë politik, ideologjik apo fetar. Putini nuk zgjedh mjete për politikën e tij destabilizuese e agresive. Po ashtu, Putini mban lidhje tradicionale dhe të ngushta edhe me presidentin e Serbisë – Vuçiqin. Vuçiqi përdor Federatën Ruse për ta mbështetur në politikat agresive të tij ndaj Kosovës. Vuçiqi me partinë paramilitare: Lista Sërpska mban ndezur konfliktet dhe i përdor ato për destabilizimin e Kosovës. Ai synon politikat e vjetra të paraardhësve të tij për një Serbi të madhe dhe në këto rrethana bënë aleancë edhe me Kryeministrin e Shqipërisë, duke tentuar të krijojë një të ashtuquajtur: “Open Ballkan” – Ballkan të hapur, pasi Serbia, por edhe Shqipëria me kryeministër Edi Ramën, kanë dështuar në reforma politike e ekonomike, në luftimin e krimit të organizuar dhe shtetit ligjor dhe janë të penguara të integrohen në Unionin Evropian, pa këto reforma. Rruga e tyre është realizimi pikave të Berlinit, që kanë të bëjnë me integrimin e tyre në BE. Në këtë pikë bashkohen interesat e Rusisë, Vuçiqit dhe të Edi Ramës dhe mu për këtë arsye Serbia dhe Rusia tentojnë ta destabilizojnë politikën në Ballkan dhe përmes paramilitarëve të Lista Sërpskës tentojnë ta destabilizojnë situatën politike në Ballkan.
Vuçiqi ndjell politikën e paraardhësve të tij si të Dobrica Qosiqit, për copëtimin e Kosovës. E nxitur nga Kisha Ortodokse Serbe dhe e mbështetur nga Rusia e Putinit, Vuçiqi tenton ta destabilizojë Kosovën. Ai mban politika të dyfishta: në njërën anë tenton të futet në BE, kurse në anën tjetër nuk vë sanksione ekonomike ndaj Moskës zyrtare. Kjo, në një masë të madhe i ka irrituar edhe shtetet perëndimore, të cilat i dhanë së fundmi edhe një ultimatum Vuçiqit për sanksione kundër Rusisë, ndryshe nuk do të ketë rrugë të anëtarësimit në BE, pa i vënë sanksione Moskës zyrtare dhe pa e nënshkruar një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Kosovën, ku do të figurojë edhe pika kryesore përfundimtare e njohjes reciproke në mes të Kosovës e të Serbisë.
Serbia nuk mund të anëtarësohet në Unionin Evropian pa një marrëveshje përfundimtare me Kosovën.
Serbia luan me dy letra: në njërën anë kërkon të anëtarësohet në Unionin Evropian, ndërkaq në anën tjetër mban lidhjet tradicionale me Rusinë. Ky qëndrim dhe kjo lojë e lidershipit aktual serb ka irrituar në masë krerët e Unionit Evropian, të cilët çdo ditë e humbin durimin dhe bëjnë presion dhe kusht, që Serbia të vërë sanksione ndaj Rusisë së Putinit.
Sulmi dhe okupimi i një pjese të Ukrainës nga Federata Ruse, ka pasoja të mëdha, sepse me këtë sulm dhe agresion ndaj një shteti të pavarur, tanimë, jo vetëm që rrezikohet rendi kushtetues botëror apo paqja dhe siguria ndërkombëtare, por është shkelur dhe atakuar edhe Karta e OKB-se, e cila është një lloj “Kushtetute” e Bashkësisë Ndërkombëtare mbi parimet e së cilës është ndërtuar rendi i ri botëror pas Luftës së Dytë Botërore, ku dispozitat e saj kanë mundësuar funksionimin e rendit politik e ushtarak botëror.
Tanimë në këtë kohe me këtë agresion të Putinit ndaj një shteti sovran dhe anëtare e OKB-së, Evropa dhe bota kurrë nuk kanë qenë më të rrezikuara, qysh nga Lufta e Dytë Botërore. Me pushtimin e një pjese të Ukrainës nga ana e Federatës Ruse, janë bërë edhe krime kundër paqes, krime kundër njerëzimit dhe vrasje masive në përmasa gjenocidi. Federata Ruse kurrë nuk ka qenë me e rrezikuar se sa sot nga shpërbërja e mëtejme e saj, si dhe shlyerja e saj përfundimisht si forcë apo superfuqi ushtarake e rendit juridik, politik e ushtarak botëror. Në rast të përdorimit të arsenalit nuklear nga ana e Putinit, kjo do të shkatërronte, jo vetëm Rusinë, por edhe një pjesë të madhe të njerëzimit. Putini në pamundësi të pushtimit blic të Ukrainës, ashtu si e mendoi, tani përdor edhe armë të ndaluara kundër popullatës civile e ushtarake. Në anën tjetër, ai lidh aleanca me shtetet islamike (antiamerikane), si: Iranin, Sirinë, pastaj me shtetet diktatoriale: Korenë Veriore, Kinën dhe Serbinë. Putini synon të zgjerojë konfliktin edhe në Ballkan, në mbështetje të politikës agresive serbomadhe të lidershipit të djeshëm dhe të sotëm serb, që të mos arrijnë marrëveshje paqësore me Kosovën, si dhe të ushqejë ndjenja nacionaliste serbomëdha, që datojnë nga “Naçertanija” e Garashaninit (1845) e këndej.
Kosova dhe shtetet ballkanike janë të shqetësuara nga ndikimi rus ne Ballkan, si dhe nga financimet dhe agjenturat ruse në këto vende, duke mos përjashtuar Shqipërinë dhe Kosovën. Kosova është me fat që ka aleatë SHBA-të dhe shtetet më demokratike e më të fuqishme të botës.
Tani Serbia është e vetëdijshme se as me mbështetjen e Putinit e as me blerje të arsenalit ushtarak nga Rusia e Turqia, nuk mund të ndërhyjë në Kosovë, sepse me këtë agresion, Serbia do të bënte vetëvrasje politike, ushtarake e ekonomike, pasi Kosova është nën mbrojtje të KFOR-it (d.m.th. NATO-s), por edhe nuk është Kosova e djeshme, pa armë e pa organizim shtetëror e ushtarak. Sot, Kosova, ka Ministrinë e Mbrojtjes dhe ushtarë të stërvitur në SHBA dhe në Angli, por edhe armë, të cilat dje nuk i kishte, ku këto elemente janë garanci e mbrojtjes së Kosovës. Atë çka mund të bëjë Serbia, është nxitja dhe mbështetja e strukturave paralele për destabilizim të situatës politike të modelit rus, që Putini aplikoi në Krime, në Donesk e vendet rreth Rusisë, me banda e kriminelë të dirigjuar nga Moska zyrtare.
Nëse nuk ndalet lufta në Ukrainë, ashtu si ka tendencë Putini, që të involvohen edhe shtete të tjera në këtë luftë apo edhe përdorimi i armëve nukleare (ashtu si e shohim sot), atëherë kjo nënkupton edhe fillimin e ndonjë Lufte të Tretë Botërore dhe shkatërrimin e rendit të sotëm botëror.