RECENZION: ÇËSHTJA SHQIPTARE PËRBALLË DIPLOMACISË DHE GJEOPOLITIKËS RUSO MADHE (1856-2022)
Prof. dr. Haxhi FERATI
RECENSION LIDHUR ME BOTIMIN E DYTË TË LIBRIT TË MR. SCI. HAMZ LLADROVCIT ME TITULL:
“Çështja shqiptare përballë diplomacisë dhe gjeopolitikës rusomadhe (1856-2016)”
Ndjehem shumë i privilegjuar dhe i respektuar, që po më jepet rasti për të shkruar parathënien, për librin e një studiuesi të ri të një fushe aq të veçantë – fushës gjeopolitike e gjeostrategjike, e cila po rilind në petkun e saj të ri.
Çdo libër i ri nga fusha gjeopolitike e gjeostrategjike, është një ngjarje e llojit të vet me interes për shkencën dhe për dijen në përgjithësi, e sidomos për studiuesin e ri shqiptar, i cili e sfidon vetën në përballje me një fushë të re studimi, me aq peshë të madhe për shtetin dhe kombin në këtë kohë të turbulencave të mëdha gjeopolitike e gjeostrategjike rreth gjeohapësirës shqiptare dhe gjithandej në Ballkan, në Evropë dhe në botë.
Jam thellësisht i bindur se, libri nuk do të zhgënjejë lexuesin, përkundrazi, duke pasur parasysh përkushtimin e studiuesit, Hamëz Ladrovci, në librin e tij me titull: “Çështja shqiptare përballë diplomacisë dhe gjeopolitikës rusomadhe (1856-2016)”, me një prezantim të denjë të proceseve dhe të ngjarjeve në një gjeohapësirë tepër të ndjeshme, siç është Ballkani dhe reflektimin gjeopolitik të diplomacisë rusomadhe, do të na motivojë më tepër për ta njohur gjeohapsirën së cilës i përkasim.
Autori i këtij libri, Hamëz Lladrovci, i motivuar, pikërisht, nga rëndësia dhe nevoja e studimit të çështjes shqiptare përballë diplomacisë dhe gjeopolitikës rusomadhe, është munduar dhe ia ka arritur, që këtë punim shkencor ta botojë si libër, për t’i ofruar publikut shqiptar njohuri mbi fenomenin diplomatik dhe atij gjeopolitik të shtrirë në një rajon shumë të veçantë dhe me peshë të madhe gjeopolitike e gjeostrategjike, siç është Ballkani dhe rajoni rreth tij. Libri posedon strukturë dhe bërthamë të nisur me hipoteza dhe pyetje të qarta kërkimore, si objekt themelor studimi për autorin, por edhe një gamë të gjerë informacionesh, citimesh nga autorë botërorë, përfshirë këtu edhe analiza të thukta mbi diplomacinë dhe gjeopolitikën si fenomen, e mbi të gjitha dhe vetë aktin e ndikimit diplomatik të politikës rusomadhe, në rajonin e Ballkanit dhe gjeohapësirën shqiptare në atë rajon.
Autori me të drejtë konstaton se mjeti diplomatik, si mjet gjeopolitik i politikës rusomadhe njëherit është edhe determinuese e fuqishme gjeopolitike, sepse edhe vetë gjeopolitika si gjeopolitikë praktike në kuptimin e vet reflekton si: “raport, marrëdhënie midis vendeve“.Nga kjo, siç thekson autori, në rregullimin e marrëdhënieve ndërkombëtare në gjeohapësirën evropiane dhe ballkanike, zë fill koncepti ri<<Koncerti i Evropës si koncept gjeopolitik>>, sipas të cilit: “problemet ndërkombëtare do t’i zgjidhnin bashkërisht Fuqitë e Mëdha Evropiane”,
Sikurse e përfshin në librin e tij, në kontekstin gjeopolitik, karakteristike për këtë fazë është se në shtrirjen graduale të politikës, kemi shtrirjen: • E frymës“liberale demokratike”, por, edhe të: • Synimeve ekspansioniste të shteteve të mëdha të Evropës mbi ato të voglat.
Në gjithë këtë vorbull dhe turbulencë gjeopolitike, jo pa ndikim, ka qenë vetë Rusia, roli i së cilës ka reflektuar në rrjedhat dhe në proceset, që ndërlidhën me Ballkanin e, në veçanti, me gjeohapësirën shqiptare. Kosova , Mali i Zi, ashtu dhe Maqedonia e Veriut në procesin e ndryshimit të diskursit politik e strategjik drejt NATO-s dhe BE-së janë ballafaquar jashtëzakonisht shumë me presionin e Rusisë dhe të politikës serbe dhe greke.
Mjeti diplomatik, si mjet i fuqishëm gjeopolitik, ka zënë vend me rëndësi në librin e autorit, Hamëz Lladrovci. Me një sens prej studiuesi të vërtetë, i qaset studimit të politikave të jashtme të vendeve ballkanike, duke ditur paraprakisht se determinuese e fuqishme e rrjedhave dhe proceseve politike e gjeopolitike të vendeve ballkanike ka qenë fuqia diplomatike e këtyre vendeve. Sot, siç konstaton autori, politika e jashtme përfaqëson qëndrimet, pozicionimin dhe objektivat e shteteve, përballë interesave ndërkombëtare. Shtetet e vogla, si ato ballkanike, paraqesin modelin tipik të peshës së tyre ndërkombëtare, përballë sfidave dhe tejkalimin e tyre gjatë proceseve të rëndësishme ndërkombëtare.
Për këto vlime gjeopolitike ka dhe ka pasur shkrime të bollshme, por sikurse çdo herë autorët dhe studiuesit i kanë shtrembëruar, duke u shndërruar në vegël të interesave të pushteteve prej nga vijnë. Nga kjo edhe duhet parë motivimin e autorit të librit me titull: “Çështja shqiptare përballë diplomacisë dhe gjeopolitikës rusomadhe(1856-2016), të studiuesit Hamëz Lladrovci, që njeherit është vazhdimësi e punimit të masterit me të njëjtin titull.
Lidhur me praninë e fuqisë në Ballkan, sjell vlerësim të drejtë dhe të saktë për kohën. Sipas tij, duke u thirrur edhe në shumë studiues të nivelit botëror, si: Henry Kisinger, George Friedman etj. se<sot Ballkani, ashtu si në të kaluarën, përcakton peshën e influencës diplomatike të Fuqive të Mëdha botërore>.Pozita shqiptare në këto hapësira përcakton qartazi peshën e proceseve të ardhshme, jo vetëm të integrimeve rajonale, por edhe të garantimit të paqes dhe të stabilitetit afatgjatë në tërë Evropën. Prezencën e diplomacisë amerikane në Ballkan, duhet kuptuar racionalist, si një veprim gjeostrategjik dhe gjeopolitik rajonal. SHBA-të janë prezent përherë të parë në Ballkan, dhe atë vetëm pas rënies së Bashkimit Sovjetik dhe të Jugosllavisë.
Në anën tjetër, BE vazhdon shtrirjen e ndikimit në Ballkanin Perëndimor, përmes reformave, konform legjislacionit të saj, ani pse ky ndikim përballë diplomacisë amerikane mbetet ende larg.
Qartësimi strategjik i diplomacisë evropiane mbi të ardhmen e Ballkanit mbetet e një rëndësie të madhe, veçanërisht, për neve si shqiptarë ballkanikë. Ballkani është gati të bëhet kufiri i ardhshëm gjeopolitik i shekullit XXI.
Krejt në fund, më mbetët që të uroj dhe përgëzoj autorin e librit, z. Hamëz Lladrovci për punën e madhe e të shkëlqyer që ka bërë me këtë botim të librit me titull: “Çështja shqiptare përballë diplomacisë dhe gjeopolitikës rusomadhe (1856-2016)”, për botimin e parë dhe për botimin e dytë! Autorit i uroj suksese të pafundme në karrierën e tij profesionale e shkencore të mëtejme!
HAMZ LLADROVCI, AUTORI I LIBRIT: “Çështja shqiptare përballë diplomacisë dhe gjeopolitikës rusomadhe (1856-2022)”