RECENZION: ÇËSHTJA SHQIPTARE PËRBALLË DIPLOMACISË DHE GJEOPOLITIKËS RUSO MADHE (1856-2022)
Prof. dr. Muhamet MALA
RECENSION LIDHUR ME BOTIMIN E DYTË TË LIBRIT TË MR. SCI. HAMZ LLADROVCIT ME TITULL: “Çështja shqiptare përballë diplomacisë dhe gjeopolitikës rusomadhe (1856-2022)”
Pasi që botimi i parë i librit: “Çështja shqiptare përballë diplomacisë dhe gjeopolitikës rusomadhe 1856-2022” u mirëprit nga opinioni shkencor dhe rrethi i gjerë i lexuesve, autori, ma. Hamëz Lladrovci, iu përvesh publikimit të dytë të librit tanimë të plotësuar me përmbajtje të re dokumentare e analitike.
Botimi i këtij libri të plotësuar është si një dëshmi evidente se shkenca historike avancon gjithnjë, duke sjellë vlerësimin kritik, si dhe interpretimin e burimeve dhe të dokumenteve të reja në favor të prezantimit sa më real të së kaluarës historike.
Edhe kësaj radhe, libri përmban strukturë bazë, që fokusohet në çështjen shqiptare, përballë diplomacisë më jo miqësore me shqiptarët, pra diplomacisë ruse, e cila duke pretenduar ndikimin gjeopolitik në Ballkan u bë përkrahësja e flakët e vendeve ortodokse, në dëm të çështjes shqiptare. Është pothuajse e pabesueshme, që ky qëndrim i politikës ruse mbeti i njëjtë dhe armiqësor, me disa përjashtime të vogla gjatë periudhës komuniste, madje, edhe atëherë mbështjell me dredhinë e internacionalizmit proletar. Rrjedhimisht, në këtë libër e kaluara në mënyre paradoksale përputhet, pothuajse, në tërësi me aktualitetin. Rastet e tilla dëshmojnë faktin se disa ngjarje dhe disa aktorë të historisë, përkundër ndryshimeve kohore mbesin të njëjtë në veprime dhe në qëndrime, duke ndjekur skemat diplomatike të paracaktuara shumë kohë më parë. Kjo përmbledhje e plotësuar e botimit të dytë, përshkruan, hulumton dhe publikon një qëndrim të tillë, të pandryshuar në kohë dhe në hapësirë të politikës rusomadhe ndaj shqiptarëve, e cila me disa ndryshime të vogla mbeti antishqiptare, që nga koha kur u krijua dhe vazhdon të jetë e tillë deri më sot.
Autori i librit, H. Lladrovci, duke e qenë në dijeni të këtyre zhvillimeve historiko – diplomatike, me një guxim profesional, por edhe me sugjerimet e recensentit të parë, prof. dr. E. Zenelaj e plotëson një zbrazëtirë të mbetur studimore. Përmes këtij libri na ofrohet një tablo e raporteve dhe e qëndrimit të diplomacisë ruse ndaj shqiptarëve, që nga Konferenca (Traktati ) e Parisit e vitit 1856, kur Fuqitë Evropiane ndërhynë ushtarakisht kundër Rusisë së atëhershme, duke mbështetur Perandorinë e dobësuar osmane, si dhe duke e afruar atë në të ashtuquajturin “Koncertin e Evropës” e deri më 2016, respektivisht, deri në ditët e sotme, kur Rusia vazhdon ende të veprojë nën hijen e pansllavizmit rus, duke mbështetur planet shoviniste serbe ndaj çështjes shqiptare në përgjithësi, e ndaj Kosovës në veçanti, respektivisht, në përkrahjen e strukturave kriminale serbe në veri të Kosovës.
Ashtu si në të kaluarën, edhe sot çështja shqiptare në libër shikohet nga prizmi më i gjerë i gjeopolitikës botërore, që sot i referohet luftës së Rusisë në Ukrainë dhe tendencave ruse, që me destabilizimin e Kosovës përmes serbëve ta lehtësojë barrën e luftës në Ukrainë, duke përqendruar vëmendjen te një rajon tjetër.
Duke lexuar këtë publikim, kuptojmë se në historinë diplomatike të Ballkanit, zakonisht, aleancat politike funksionuan, duke u mbështetur në interesat e përbashkëta politiko-etnike sllave, në afërsi religjioze e ortodokse, apo në afërsi etnike dhe gjuhësore. Në të gjitha këto kombinime, shqiptarët u lanë jashtë skemave diplomatike të fqinjëve hileqarë ballkanikë, duke ia ndarë atyre rolin e viktimës dhe jo të aleatit, siç do të duhej në realitet.
Duke studiuar këto raporte të komplikuara gjeopolitike të Rusisë ndaj çështjes shqiptare, nga ky botim kuptojmë se qëndrimi armiqësor i Rusisë ndaj çështjes shqiptare ishte i ndikuar nga interesi gjeopolitik dhe diplomatik për të dalë në “Dete të nxehta”, e që për këtë gjë domosdoshmërisht duheshin pushtuar tokat shqiptare. Në këtë rrugëtim antishqiptar, pa dyshim, qëndrimi rus ishte pro sllavëve ballkanikë apo grekëve ortodoksë. Për t’i sqaruar këto zhvillime dramatike, të natyrës gjeopolitike dhe diplomatike, autori Lladrovci në publikimin e tij ka kombinuar me sukses disa metoda hulumtimi dhe burime të proveniencave nga më të ndryshmet, si ato evropiane, ashtu edhe ato kombëtare. Vlerën shkencore, publikimit, pa dyshim, se ia shton edhe tryeza e gjerë e materialit arkivorë, respektivisht, dokumenteve të sjella nga arkivat e Vjenës, të Budapestit, të Parisit, të Tiranës dhe të Brukselit. E gjithë kjo problematikë në librin e z. Lladrovci është e përmbledhur në pesë kapituj, që në vete ndjekin rendin kronologjik. Kapitulli i parë, në një formë informative i dedikohet historisë së shkurtër të popullit rus apo siç shprehet vetë autori paraqet një “ekskurs” të shkurtër të historisë ruse, duke sjellë fakte interesante nga e kaluara e largët dhe e tanishme e popullit rus. Kapitulli i dytë i referohet, kryesisht, gjysmës së dytë të shek. XIX dhe më vete ka, kryesisht, përmbajtje të natyrës diplomatike, ku analizohet lindja dhe përhapja e idesë pansllaviste, respektivisht, ideja e pansllavizmit ruso – sllav. Mbështetur në dokumente më të reja burimore, autori trajton prapaskenat e diplomacisë austro-hungareze dhe ruse, në raport me çështjen shqiptare, duke përmendur marrëveshjen e fshehte të Reichstadit (1876), ku për herë të parë shtrohet në rrafshin diplomatik çështja shqiptare. Trajtimi i kësaj teme në punim, konsiston në idenë se në historiografinë kombëtare, kjo konferencë është trajtuar jo në mënyrë meritore, andaj autori e rikthen edhe njëherë në vendin e duhur, duke ofruar të dhëna interesante, lidhur me vendin e shqiptarëve në gjeopolitikën evropiane të kohës.
Kapitulli i radhës, në kuptimin kohor i dedikohet fillimit të shek. XX dhe fillon me aleancat ballkanike, që i paraprinë luftërave ballkanike dhe shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, e cila nuk u prit aspak mirë nga qarqet diplomatike ruse, sepse ishte në kundërshtim me aspiratat ekspansioniste të politikës rusomadhe. Kapitulli, gjithashtu, trajton edhe ndikimin e carizmit rus në Ballkan, në kohën e Luftës së Parë Botërore, si dhe rolin e presidentit amerikan, Wilson, që kishte filluar të paraqitej në skenën diplomatike të Evropës, e që sadopak do të balanconte drejtpeshimin e prishur politik në Ballkan dhe në Evropë dhe do të imponohej, si aktor i ri, në skenën diplomatike të botës.
Është me interes të veçantë, veçmas nga sensi kritik i historiografisë, trajtimi, që autori ia bënë qasjes së politikës së Rusisë socialiste, ndaj vendeve ballkanike, si dhe raporteve të qeverisë demokratike të Fan Nolit, lidhur me këtë çështje. Pa dyshim, se lidhur me këto zhvillime, historiografia moniste shqiptare kishte shkruar nga këndvështrimi ideologjik, andaj autori mundohet që të jetë sa me real në trajtimin e këtyre ngjarjeve, jashtë klisheve ideologjike e politike të së kaluarës.
Gjithsesi, duke ndjekur në tërësi rendin kronologjik, në kapitullin në vazhdim, libri paraqet kohën e qeverisjes së komunistëve në Shqipëri dhe raporteve të tyre me Bashkimin Sovjetik. Kjo përmbajtje, pa dyshim, se përmban më vete disa njoftime me vlera shkencore, ku trajtohen problemet e natyrës politike, ushtarake, ekonomike e kulturore, që Shqipëria e Enver Hoxhës pati me Bashkimin Sovjetik, nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, e deri me 1961, kur edhe erdhi deri te ndërprerja përfundimtare e këtyre raporteve, si dhe dalja e Shqipërisë socialiste nga Pakti i Varshavës – më 1968.
Kapitulli i fundit në libër i dedikohet, kryesisht, çështjes së Kosovës, shikuar nga prizmi i politikës ruse dhe qëndrimin e saj ndaj ndërhyrjes së NATO-s dhe pavarësisë së Kosovës. Pa dyshim, se rëndësi më vete, në këtë kapitull, paraqesin temat, që elaborojnë qëndrimin e Federatës Ruse ndaj pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare. Autori duke u mbështetur në qëndrimet aktuale të politikës ruse ndaj Kosovës, me të drejtë te personaliteti i presidentit rus, Vlladimir Putin, e sheh vazhduesin e politikës pansllaviste dhe mbështetësin kryesor të politikës shoviniste të Serbisë. Ky vlerësim i drejtë u vërtetua edhe me rastin e agresionit rus ndaj Ukrainës, që filloi me 24 shkurt 2022 dhe vazhdon edhe sot pa ndonjë perspektivë të qartë të përfundimit. Ndoshta, rasti i pushtimit rus të një pjese të Ukrainës është dëshmia më e fortë se politika ruse e agresionit dhe ekspansionit ushtarak nuk ka pushuar asnjëherë gjatë historisë, por vetëm ka ndërruar taktikën dhe ka vepruar në pajtim me interesat e ngushta, ashtu si vepron sot, duke nxitur Serbinë që ta destabilizojë Kosovën dhe Ballkanin. Njëkohësisht, autori, një politikë të tillë anakroniste të Rusisë dhe të Serbisë ndaj Kosovës me të drejtë e sheh si rrezikim i paqes ndërkombëtare dhe rikthimin e dhunës dhe të luftërave të fundshekullit të kaluar. Me të drejtë, nga libri mund të kuptohet se me gjithë dëshirën e mirë dhe përpjekjet e bëra për të bashkëpunuar më popujt fqinj, për pavarësimin politik dhe çlirimin kombëtar, shqiptarët nuk hasen në mirëkuptim apo nuk gjeten aleatë të mirëfilltë te fqinjët e tyre. Për këtë arsye një pjesë të mirë të fajit e bart edhe politika nxitëse dhe ekspansioniste rusomadhe, e cila i frymëzonte dhe i ndihmonte shtetet fqinje sllave të Ballkanit kundër shqiptarëve, njësoj siç vepron edhe sot me rastin e ndihmës që i ofron Serbisë në destruktivitetin e saj, në raport me Kosovën. Shpeshherë politika rusomadhe ndaj shqiptareve është e maskuar me terminologji fetare e kulturore, e që për qëllim ka pasur dhe vazhdon te ketë: për ta ndihmuar Serbinë, që të shkëputë territore të caktuara nga Republika e Kosovës. Sipas shënimeve të librit e tërë diplomacia ruse ndaj shqiptarëve është ngritur mbi përkrahjen e politikës serbe dhe mitologjisë historike për Kosovën si “djep i Serbisë”, që, pa dyshim, se bien ndesh me realitetin historik dhe burimet relevante.
Është meritor fakti se, në këtë libër, dëshmohet se politika rusomadhe ndaj shqiptarëve nuk ishte e rastit dhe e hartuar në mënyre individuale. Ajo ishte konsistente në kohë dhe në hapësirë dhe ishte institucionale, ku qëllimi kryesor i saj ishte dhe vazhdon të jetë dominimi politik, ekonomik e ushtarak i shtetit serb në Ballkanin Perëndimor, e rrjedhimisht, edhe i Rusisë.
Mbështetur në atë që u shkrua më lart, mund të kolaudojmë se e gjithë lënda e përfshirë në këtë ribotim më tërë përmbajtjen e vet, paraqet një kontribut plotësisht origjinal, pasi që në këtë fushë komplekse kërkimore, autori ka publikuar, por tani edha ka shtuar burime dhe dokumente të reja arkivore të pabotuara, si dhe i ka bashkangjitur literaturën relevante dhe shtypin e kohës, duke bërë, që libri të paraqet një avancim shkencor dhe publicistik në fushën e diplomacisë dhe të gjeopolitikës.