Reçica: Demonstrata e 3 prillit ishte një kthesë e rëndësishme në historinë e Kosovës
Deputeti i PDK-së, Elmi Reçica, ka thënë se sot shënohet 42-vjetori i Pranverës Shqiptare, demonstratave të 3 prillit të vitit 1981 në Ferizaj, të cilat ishin vazhdimësi e jehonës dhe rezistencës së demonstratave fillestare të 11 marsit, që manifestonte shprehjen dhe kërkesën për realizimin e çështjes kombëtare shqiptare.
“Në Ferizaj qe demonstruar fuqishëm për të drejtat e shqiptarëve me kërkesën për Republikën e Kosovës, në përleshje me forcat e atëhershme policore, ranë heroikisht dëshmorët e kombit, Rizah Matoshi dhe Sherif Frangu”.
“Demonstrata e 3 prillit ishte një kthesë e rëndësishme në historinë e Kosovës, pasi shënoi fillimin e një lëvizjeje masive për liri dhe pavarësi. Kjo protestë tregoi se populli i Kosovës ishte gati të luftonte për të drejtat e tyre dhe për të ndryshuar statusin e tyre në sistemin politik të asaj kohe. Rezistenca e shqiptarëve nuk u ndal asnjëherë dhe kulmoj me luftën e UÇK-së deri në çlirimin e vendit tonë dhe realizimin e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”, ka shkruar Reçica në “Facebook”.