Reçica: Deri më tani janë realizuar  2,025 inspektime   

16 prill 2019 | 12:53

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), ka raportuar të martën para anëtarëve të Komisionit për të Drejtat e Njeriut në Kuvendin e Kosovës.

Ai ka thënë se ka realizuar rreth 10 mijë inspektime gjatë vitit 2018.

Sipas tij, pensionet familjare në rastet kur humbin një familjar në vendin e punës do të jenë të dinjitetshme.

Ai në këtë raportim,  përmendi reformat e kornizës ligjore, të cilën e mbulon ky dikaster, për sistemin pensionale dhe krijimin e fondit për sigurime sociale.

Sipas tij, në kuadër të kësaj reforme, e cila ishte në proces në vitin e kaluar, do të ketë pensione invalidore të punës të dinjitetshme. “Shpeshherë jemi pyetur çka po ndodh me punëtorët kur lëndohen në vendin e punës, çka ndodh me familjet e tyre kur familjarët pësojnë me fatalitet në vendin e punës, ju them që në kuadër të reformës që kemi hartuar koncept-dokumentin, pas krijimit të fondit për sigurime sociale natyrisht do të jetë një bazë ku pensionet invalidore të punës do të jenë të dinjitetshme, sikur që do të jenë të dinjitetshme edhe pensionet familjare në rast se familjarët humbin të dashurin e tyre në vendin e punës”, ka deklaruar Reçica, duke shtuar se me kapacitetet ekzistuese, Inspektorati ka arritur të realizojë mbi 10 mijë inspektime gjatë vitit 2018, ndër në vitin 2019 janë realizuar 2,025 të tilla.

“Vetëm gjatë periudhës janar-dhjetor 2018, Inspektorati i Punës i cili e ka mandatin për të mbikëqyrë zbatimin e ligjit për siguri e shëndet në punë, dhe ligjin aktual për marrëdhënien e punës, me kapacitetet aktuale të cilat i posedon, ka realizuar 10 mijë inspektime në teren, në bizneset dhe veprimtaritë ku zhvillohen bizneset dhe ku ka vendpunishte, nga të cilat 6 mijë inspektime sipas planit të punës, dhe mbi 4 mijë inspektime të përsëritura. Vetëm në periudhën janar-mars 2019 deri më tani janë realizuar gjithsej 2,025 inspektime”, u shpreh ai.

Gjatë raportimit në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Reçica bëri thirrje që të denoncohen rastet e shkeljeve, ku tha se po punojnë në rritje të vetëdijesimit.

Reçica ka deklaruar se bë vitin që shkoi, kanë filluar fushatë intensive në inspektimin e sektorit të ndërtimtarisë, duke e konsideruar atë një prej sektorëve me shkallën më të lartë të rrezikshmërisë. Sipas tij, nuk do të ndalën vetëm me zbatimin e kritereve që kanë të bëjnë me sigurinë minimale të punëtorëve në vendin e punës, por do të përpiqen të jenë prezent në secilën vendpunishte.

Megjithatë, sipas Reçicës s’është e lehtë, me kapacitetet ekzistuese. “Kur them në secilën vendpunishte nuk është e lehtë sepse kapacitetet ekzistuese të inspektoratit dhe shikuar numrin e bizneseve që operojnë, është mbi 60 mijë biznese, është e pamundur të kemi një inspektim ndoshta pak më të shpeshtë ose të mbulohet krejt sektori i ndërtimtarisë ose krejt sektori ku zhvillohet veprimtari ndërtimore. Por megjithatë dua të u siguroj që inspektorati do të troket në derën e secilit punëdhënës”, ka dekalruar ai.

Reçica tutje ka thënë se me ligjin për Inspektoratin, i cili është në Kuvend, pritet të fuqizohet roli i Inspektoratit dhe të shtohet numri i tyre. Ai tha se do shtohen edhe 20 inspektorë të rinj.

 

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe në Gllogjan…