Reçica dhe përfaqësuesit e GIZ-DIMAK flasin për migrimin legal dhe punësimin
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Skender Reçica, ka pritur në takim përfaqësues të GIZ-DIMAK (Qendra Gjermane e Informacionit për Migracionin, Aftësim dhe Karrierën), me të cilët ka biseduar rreth punësimit të rinjve, me theks të veçantë zgjerimit të mundësive për migrim legal për punësim dhe aftësim profesional të të rinjve në vendet e BE-së, në këtë rast në Gjermani.
Me këtë rast, ministri Reçica ka vlerësuar punën e deritanishme të GIZ-DIMAK në orientimin dhe këshillimin e qytetarëve për migrim si dhe ka vlerësuar bashkëpunimin mes GIZ dhe MPMS, duke kërkuar që ky bashkëpunim të fuqizohet edhe më shumë, sidomos rreth punësimit sezonal të qytetarëve të Kosovës.
“Kosova përballet me shkallë të lartë të papunësisë për çka MPMS, së bashku me partnerët e saj siç është GIZ, po bën përpjekje maksimale për zbutje të kësaj gjendje”, ka thënë Reçica.
Ai ka theksuar se një nga nevojat kryesore sa i përket punësimit është orientimi i të rinjve të karrierë për shkak se Kosova po përballet me mospërputhje të aftësive profesionale me nevojat e tregut të punës.
“Një zgjidhje afatshkurtër do të ishte angazhimi i të rinjve tanë për punë sezonale dhe përkohshme në vendet e BE-së. Fuqia punëtore e kualifikuar sipas standardeve të BE-së do të mund të nxiste investimet e huaja në Kosovë, sepse do të gjenin fuqi punëtore të kualifikuar dhe më të lirë se vendet e BE-së”, është shprehur Reçica.
Ndërsa, udhëheqësja e GIZ-DIMAK në nivel qendre në Gjermani, Nina Theis, ka falënderuar ministrin për bashkëpunim.
Ajo ka shprehur pajtimin e plotë që orientimi në karrierë i të rinjve është një çështje për të cilën duhet fokusuar në projektet e ardhshme në mes të GIZ-it dhe MPMS-së.
Theis ka theksuar se GIZ-i do të ofrojë gjithë ndihmën e nevojshme për të mbështetur MPMS-në dhe Agjencinë e Punësimit sa i përket zbutjes së papunësisë, sidomos për dhënien e mundësisë për migrim legal për punësimin e qytetarëve të Kosovës.
/Epoka e re/