Reçica: Dielli i Gurselit të UÇK-së më priti në familjen e tij në Finlandë
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Elmi Reçica gjatë qëndrimit të tij në Finlandë ka takuar shumë mërgimtarë. Ai në përmbyllje të vizitës së tij në këtë shtet ka vizituar edhe familjen e heroit të Kosovës, Gursel Sylejmanit. Reçica është pritur nga kryefamiljari Dielli, djali i Gursel Sylejmanit.
“I nderuar të isha mysafir në familjen e Diell Sylejmanit, djalit të heroit, bashkëvendësit e bashkëluftëtarit tim, i cili ra në Jezerc për lirinë e Kosovës, Gursel Sylejmanit”, ka shkruar Reçica.
Njoftimi i plotë i tij:
Dielli i Gurselit të UÇK-së më priti në familjen e tij në Finlandë
I nderuar të isha mysafir në familjen e Diell Sylejmanit, djalit të heroit, bashkëvendësit e bashkëluftëtarit tim, i cili ra në Jezerc për lirinë e Kosovës, Gursel Sylejmanit.
Dielli është djalë i mirë, veprimtar që e do shumë Kosovën – dardha pikë nën dardhë. Ai është po ashtu aktivist i shquar i PDK-së në Finlandë.
Gurseli ka qenë piktor i talentuar. Nga fillimi ishte shquar për atdhedashuri. Do ta kujtoj gjithmonë si burrë trim e besnik që luftoi deri në fund për të përmbushur idealin e përjetshëm për lirinë e vendit. Emrin e tij e ka jetësuar djali i Diellit. Gurselit të vogël i urova jetë të gjatë dhe me krenari ta mbaj emrin e gjyshit!
I emocionuar por edhe i lumtur kur pashë që Dielli i Gurselit është bërë i suksesshëm në Finlandë dhe i përmbushur me familjen e tij të mrekullueshme.
Liria ka emrin e Gurselit, Bajramit, dhe të gjithë të rënëve për liri.