Reçica: Diplomacia e UÇK-së në Konferencën e Rambujes, një hap drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Elmi Reçica, ka thënë se diplomacia e UÇK-së në Konferencën e Rambujes ishte një hap drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
“Para 25 vitesh, pikërisht më 7 shkurt të vitit 1999, në Konferencën e Rambujes në Francë, historia e Kosovës ndryshoi përherë. Hashim Thaçi, Drejtori i drejtorisë politike të UÇK-së, u vendos në krye të delegacionit negociator të Kosovës, dhe përfaqësues i të gjithë grupit të intelektualëve, shoqërisë civile dhe politike dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ky ishte momenti kyç në luftën për liri dhe pavarësi”, ka shkruar Reçica në “Facebook”.
Ai ka thënë se në këtë konferencë, prania e UÇK-së i dha një peshë të re dhe një perspektivë tjetër çështjes së Kosovës.
“Përpjekjet diplomatike të UÇK-së dhe qëndrimi i palës serbe për t’i rezistuar dialogut, shkaktoi reagimin e NATO-s nëpërmjet bombardimeve ndaj pozicioneve ushtarake dhe policore serbe. Ky reagim i NATO-s shënoi fillimin e një kapitulli të ri në historinë e Kosovës, duke hapur rrugën drejt njohjes së saj si shtet i pavarur. Konferenca e Rambujes u bë një pikë kthese në rrugën drejt pavarësisë së Kosovës dhe një dëshmi e aftësisë së UÇK-së për të luftuar jo vetëm në fushën e betejës, por edhe në atë diplomatike për të arritur qëllimet e saj kombëtare”, ka shkruar Reçica.