Reçica e Mehmeti diskutojnë për rritjen e bashkëpunimit mes MPMS-së dhe BQK-së
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica ka zhvilluar sot një takim me guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, me të cilin ka diskutuar për rritjen e bashkëpunimit mes MPMS-së dhe BQK-së, në funksion të mbështetjes së kategorive shoqërore që janë nën domenin e dikasterit tonë.
“Gjeta mbështetjen e plotë të guvernatorit lidhur me gatishmërinë dhe vullnetin tonë, që sa më parë, të gjithë pensionistëve në Republikën e Kosovës, t’ua mundësojmë tërheqjen e pensioneve dhe mbarimin e shërbimeve tjera përmes kartelave bankare, si dhe u dakorduam për të gjetur mundësitë për t’i liruar plotësisht nga të gjitha provizionet e tanishme”.
“Kjo do të jetë një e mirë e dyfishtë, sepse me jetësimin e këtij prioriteti, kjo kategori shumë e respektuar e shoqërisë sonë, sadopak i shmanget edhe rrezikut të prekjes me Covid-19 dhe rreziqeve tjera shëndetësore përmes pritjeve të gjata nëpër sportele bankare”, ka thënë Reçica.
(Q.R / Epoka e re)