Reçica: Katër vite më parë u arrestuan në Kosovën e lirë dhe të pavarur, por besoj se së shpejti do t’i kemi në mesin tonë
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e PDK-së, Elmi Reçica ka kujtuar 39 vjetorin e arrestimit të tij dhe të bashkëveprimtarëve Fehmi Lladrovci, Xhavit Haziri dhe Shaban Shala, të cilët sot janë heronj të Kosovës, si dhe 4-vjetorin e arrestimit të bashkëveprimtarëve dhe bashkëluftëtarëve, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi të cilët në një proces gjyqësor janë duke dëshmuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës bëri luftë të drejtë e të pastër me të vetmin qëllim për të realizuar lirinë dhe për ta bërë Kosovën shtet.
Reçica ka shkruar se beson fuqishëm në pafajësinë e tyre, dhe poashtu beson se së shpejti do t’i kemi në mesin tonë.
“Besoj fuqishëm në pafajësinë e tyre, besoj se së shpejti do t’i kemi në mesin tonë.”, ka shkruar Reçica.
Njoftimi i plotë i Reçicës:
39 vite më parë regjimi jugosllav na arrestoi mua dhe bashkëveprimtarët e mi për veprimtari atdhetare. U arrestuam sepse nuk pranuam të nënshtroheshim ndaj shtypjes dhe dhunës sistematike që ky regjim ushtronte ndaj popullit shqiptar. U arrestuam sepse kërkuam që shqiptarët të kenë Republikën e tyre, një të drejtë që e kishin kombet që ishin shumë më të pakët në numër se ne. Në mesin tonë ishin edhe Fehmi Lladrovci, Xhavit Haziri dhe Shaban Shala, sot heronj të Kosovës. Së bashku me ta, nuk u ndalëm për asnjë moment në kërkim të lirisë, dinjitetit dhe shtetit për popullin tonë. Për këtë guxim dhe vendosmëri, regjimi na dënoi, por nuk mundi të na thyejë shpirtin dhe ëndrrën tonë për liri.
Këtu e katër vite më parë në Kosovën e lirë dhe të pavarur u arrestuan bashkëveprimtarët dhe bashkëluftëtarët tanë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi të cilët në një proces gjyqësor janë duke dëshmuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës bëri luftë të drejtë e të pastër me të vetmin qëllim për të realizuar lirinë dhe për ta bërë Kosovën shtet.
Besoj fuqishëm në pafajësinë e tyre, besoj se së shpejti do t’i kemi në mesin tonë.