Reçica kërkon që mos të përzihet politika në temat sektoriale, sepse po pengohet realizimi i të drejtave të punëtoreve

19 nëntor 2020 | 22:28

Mungesa e kuorumit është bërë shkak i shtyrjes së miratimit të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Ekonomiko-Social dhe Projektligjit për Inspektoratin e Punës.

Lidhur me Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Ekonomiko-Social, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, tha se është i rëndësishëm meqë avancon promovimin e dialogut social në vend.

Objektivi kryesor i këtij projektligji është qasja gjithëpërfshirëse e partnerëve social në këtë mekanizëm që ka për qëllim promovimin e dialogut social, duke u përshtatur kritereve dhe kërkesave edhe të Bashkimit Evropian, të gjitha këto për faktin se përmes dialogut social liria e asocimit dhe të drejtat bazike të punëtorëve dhe punëdhënësve janë një bazë e nevojshme për zhvillimin dhe funksionimin adekuat të politikave të punësimit dhe atyre socio-ekonomike, ka thënë ministri Skender Reçica.

Gjithashtu, në seancën e sotme, ministri Recica ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit që të miratojnë në lexim të parë edhe Projektligjin për Inspektoratin e Punës, mirëpo në mungesë të kuorumit edhe ky projektligj nuk është hedhur fare në votim.

Ministri i MPMS, Skender Reçica, tha se, arsyet kryesore të hartimit të këtij projektligji janë reformimi i institucionit të inspektoratit të punës sipas standardeve ndërkombëtare të punës dhe praktikave të mira të BE-së. Përmes këtij projektligji synojmë të fuqizojmë dhe reformojmë inspektoratin e punës si institucion i mbikëqyrjes së punës”, tha Reçica.

Pas debatit të zhvilluar nga deputetët lidhur me këto projektligje, ministri Reçica, ka thëne se nuk është mirë që për secilën temë sektoriale të bëhet politikë, sepse qytetari jo domosdoshmërishtë duhet të dëgjojë vetëm interpretime politike, por ka nevojë të dëgjoj zgjidhje për preokupimet në përditshmërinë e tyre.

Gjithashtu ministri Reçica ka thënë se edhe me projektligjin për Inspektoratit po bëhet politikë dhe kjo nuk është korrekte sepse po pësojnë punëtorët në vendin tonë. Pikërisht duke u përzier politika në tema sektoriale e kanë lënë vendin pa Ligjin e Punës dhe pa Ligjin e Lehonisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vaksina kundër koronavirusit mund të shpërndahet në vendet e Bashkimit…