Reçica: Limaj ka nisur konsultat me liderët pas vendimit të Kushtetueses
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe zyrtari i lartë i Nismës Socialdemokrate, Skënder Reçica, ka thënë se lideri i kësaj partie, Fatmir Limaj, ka filluar konsultimet me liderët e subjekteve politike për të parë se si duhet të veprohet në raport me dialogun me Serbinë, pas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese për delegacionin shtetëror.
“Limaj është duke u takuar me liderë. Ai ka filluar konsultat për të parë se çka duhet të bëjmë. Ne jemi për atë që meqenëse jemi para fazës finale, duhet të arrijmë një konsensus mes të gjitha subjekteve politike. Forcat politike duhet të gjejnë rrugën për të ecur përpara”, ka thënë Reçica në emisionin “Imazh” të “RTK”-së.
Në këtë emision, ai ka folur edhe për koalicionin PAN, duke thënë se opozita nuk i ka numrat për ta rrëzuar Qeverinë Haradinaj.