Reçica: Marrëveshjet për sigurime sociale i kisha top prioritet

18 tetor 2018 | 15:47

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë ratifikuar të enjten dy marrëveshje në fushën e sigurimeve sociale, atë me Konfederatën e Zvicrës dhe Mbretërinë e Belgjikës, gjë që ua mundëson që shumë shpejt, qytetarët e Kosovës që kanë punuar në këto shtete të nisin t’i gëzojnë pensionet kontributpaguese, pensionin bazik të moshës, pensionet familjare dhe invalidore të punës.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, para deputetëve ka thënë se këto marrëveshje janë jetike dhe prekin drejtpërdrejt qytetarët e Republikës së Kosovës dhe se nënshkrimi i tyre është pritur me padurim nga qytetarët.

“Gjatë periudhës prej se jam mandatuar si ministër i MPMS-së, çështjen e marrëveshjeve për sigurime sociale e kam vënë në top prioritetet e ministrisë, sidomos marrëveshjen me Zvicrën duke ditur se që nga viti 2010 një e tillë ishte ndërprerë dhe qytetarët tanë nuk kanë mundur t’i realizojnë të drejtat e tyre”, ka deklaruar Reçica.

Pas ratifikimit të këtyre marrëveshjeve nga ana e deputetëve, ministri Reçica ka përgëzuar qytetarët që do të përfitojnë nga këto marrëveshje të rëndësishme.

Marrëveshjet e ratifikuara ua mundësojnë gjithashtu qytetarëve të Kosovës të cilët kanë punuar në Zvicër apo Belgjikë, që pas arritjes së moshës së pensionimit, të kenë të drejtë që këtë pension ta marrin në Kosovë si dhe do t’ju mundësohet e drejta për t’i bashkuar periudhat e kontributeve në mënyrë që të realizojnë pensionin, në rastet kur nuk është e mundur që të plotësojnë kushtet ligjore për pensionim qoftë në Kosovë, apo Zvicër ose Belgjikë.

 /Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetët e Kuvendit të Kosovës të enjten kanë miratuar Projektligjin…