Reçica në Gjermani, me ftesë të ministrit federal të punës
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Skender Reçica me ftesë të ministrit Federal të Gjermanisë për zhvillim dhe bashkëpunim ekonomik, Gerd Müller, po qëndron në vizitë zyrtare në Berlin të Gjermanisë, për të marrë pjesë në konferencën e organizuar për Ballkanin Perëndimor, “Dinamikat e reja të teknikave për edukim dhe aftësim profesional”.
Konferenca do të mbahet në mes të 2 e 4 korrikut. “Në këtë konferencë do të diskutohen trendet dhe diversiteti i ndryshimit të kompetencave nëpërmjet dixhitalizimit, dinamika e tregut të punës, kërkesat për formimin e shkathtësive, ndikimet në sistemin dhe nivelin e zbatimit, të cilat ndodhin nëpërmjet ndryshimit të kërkesave të kompetencave”, thuhet në njoftimin për media të MPMS-së.
Në këtë konferencë marrin pjesë Ministra të dikastereve përkatëse nga vende të Ballkanit Perëndimor dhe disa ministra të tjerë nga vendet e BE-së. “Ministri Reçica është një ndër Ministrat e parë që është ftuar nga Qeveria Gjermane që nga themelimi i saj këtë mandat, për të marrë pjesë zyrtarisht në këtë konferencë shumë të rëndësishme për Ballkanin Perëndimor dhe procesin e integrimit në Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftim.