Reçica në Portugali takon homologun e tij, dakordohen për bashkëpunim
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica po qëndron në një vizitë zyrtare në Lisbonë të Portugalisë.
Reçica, i shoqëruar nga ambasadori i Kosovës në Portugali Ylber Kryeziu, ka takuar ministrin e Punës, Solidaritetit dhe Sigurimit Social, Jose Vieira da Silva të cilin e njoftoi rreth gjendjes socio-ekonomike në Kosovë dhe problemeve me të cilat Kosova përballet sa i përket papunësisë.
Nga homologu i tij, Reçica u njoftua me theks të veçantë rreth sistemit të avancuar të aftësimit dhe riaftësimit profesional në Portugali dhe rëndësisë që shteti portugez i jep trajnimit profesional të qytetarëve të saj.
Ministri Reçica ka thënë se Qeveria, përkatësisht Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale është duke i kushtuar rëndësi të veçantë aftësimit profesional, si parakusht për zbutje të papunësisë në vend.
Ai ka shtuar se është shumë e rëndësishme që Kosova të përvetësojë nga Portugalia praktikat më të mira sa i përket punësimit, aftësimit dhe riaftësimit profesional, për çka kërkoi që të konkretizohet bashkëpunimi nëpërmjet një marrëveshje bilaterale në fushën e punësimit si dhe aftësimit profesional.
Me këtë rast, Reçica e ftoi ministrin Jose Vieira da Silva që ta vizitojë Kosovën dhe të shohin mundësinë e jetësimit të bashkëpunimit.
/Epoka e re/