Reçica në Tiranë hedh hapa drejt unifikimit të tregut të punës

02 shtator 2020 | 14:18

Në prag të mbledhjes së radhës së dy qeverive tona, të mërkurën, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, bashkë edhe me ambasadorin e Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani, takuan ministren e Financave dhe Ekonomisë së Republikës së Shqipërisë, Anila Denaj, për të intensifikuar edhe më tej veprimet e nevojshme në rrugëtimin e nisur që moti, për lehtësimin e jetës së qytetarëve tanë.

“Me ministren e nderuar, znj. Denaj u dakorduam për arritjen e marrëveshjes së mobilitetit në punë, marrëveshje kjo e cila ua mundëson qytetarëve të vendeve tona të kenë mundësi të barabarta punësimi, arsimi dhe aftësimi profesional, anekënd hapësirës sonë gjeografike, pavarësisht vendit prej nga vijnë. Në këtë kuptim, ne po afrojmë edhe më shumë Vlorën me Podujevën, shkodranët me pejanët dhe po ashtu, gjilanasi në Elbasan të ndihet elbasanas”, ka thënë ministri Reçica.

Ai ka shtuar se kuadrot e të dyja vendeve me arritjen e kësaj marrëveshje do të shfrytëzojnë tregun e përbashkët të punës, i cili do të jetë i integruar në vetëm një treg pune.

“Rëndësia e integrimit të së cilit është që dy vendet tona të plotësojnë vendet e lira të punës, të cilat kërkojnë kuadro në bazë të nevojave të tregut. Me këtë marrëveshje do të mundësohet mbulimi i këtij boshllëku duke ofertuar fuqinë punëtore me përgatitjen profesionale sipas nevojave të tregut të punës të të dy vendeve tona”, është shprehur ministri Reçica.

Gjithashtu, ai ka bërë me dije se me ministren Denaja, u dakorduan që pas arritjes së kësaj marrëveshje, duhet ta realizojnë edhe marrëveshjen për sigurime sociale, që qytetarët e të dyja vendeve mos të humbasin kontributet e tyre dhe të bashkojnë periudhat e kontributeve nga secili vend që kanë punuar.

“Pra, qytetarët tanë do të përfitojnë nga sigurimet shoqërore duke zgjedhur të jetojnë ku ata dëshirojnë, në Kosovë apo në Shqipëri. Me arritjen e këtyre dy marrëveshjeve Kosova dhe Shqipëria do të jenë gjithnjë e më afër Bashkimit Evropian, për faktin se po jetësojmë një pjesë të procesit të Berlinit, por mbi të gjitha me këto marrëveshje ne do të jemi më pranë njëri-tjetrit”, ka theksuar se ministri Reçica.

(A.M / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj ka vizituar sot ish-ushtarin e…