Reçica: Nisma do të angazhohet në fuqizimin ekonomik të grave në zonat rurale
Ministri në detyrë i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, i cili në zgjedhjet e 6 tetorit është kandidat për deputet i Nismës Socialdemokrate ka theksuar se mundësitë e barabarta për gratë në punësim kanë qenë në fokus të angazhimit të kësaj partie gjatë qeverisjes aktuale.
“Duke mos qenë të kënaqur me aq sa është bërë ndër vite për fuqizimin ekonomik të grave, Nisma në planprogramin e saj për qeverisjen në ardhje ka paraparë edhe masa të tjera për avancim të pozitës së gruas në tregun e punës. Ne zotohemi për trajtim të njëjtë për të gjitha gratë, sikurse burrat që kryejnë punë të njëjtë”, ka shkruar Reçica në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka theksuar se Nisma do të angazhohet në fuqizimin ekonomik të grave në zonat rurale, nëpërmjet aftësimit profesional të tyre, subvencionimin e prodhimit të kulturave bujqësore dhe sigurimin e plasimit të këtyre prodhimeve në treg.
/Epoka e re/