Reçica: Nuk do të reshtim që fëmijëve t’u ofrojmë mbrojtjen e merituar
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Skender Reçica, gjatë shqyrtimit të Projektligjit për mbrojtjen e fëmijës, ka thënë se ky projektligj avancon garantimin më të mirë të mbrojtjes dhe të drejtave të fëmijëve në Kosovë, nëpërmjet avancimit të shërbimeve.
Postimi i plotë në profilin e vet në “Facebook”:Të gjithë ne kemi detyra dhe obligime për t’i mbrojtur fëmijët tanë, për t’iu krijuar atyre barazi, arsim dhe shëndetësi më të mirë dhe një herësh t’i bëjmë krenarë për vendin tonë. Në seancën e sotme të Kuvendit, gjatë shqyrtimit të Projektligjit për mbrojtjen e fëmijës, theksova se ky projektligj avancon garantimin më të mirë të mbrojtjes dhe të drejtave të fëmijëve në Kosovë, nëpërmjet avancimit të shërbimeve.
Dikasteri të cilin e drejtoj, është përgjegjës për zhvillimin e politikave sociale, hartimin e legjislacionit, standardeve dhe planeve strategjike për ofrimin e shërbimeve sociale dhe familjare, me theks të veçantë për mbrojtjen e fëmijëve. Nuk do të reshtim që fëmijëve tanë, atyre që janë e ardhmja e ndritshme e vendit, t’u ofrojmë mbrojtjen e merituar.