Reçica: Papunësia nuk zbutet nëse s’bëhet një plan nacional nga Qeveria
Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D), ka publikuar sot manifeston “Dialogu Social për Fuqizim”, në një bashkëbisedim në mes të Ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica dhe të rinjve e të rejave.
Reçica vuri theksin kryesor në analizën e tregut të punës si të nevojshme për të ardhmen, kjo për arsye se sipas tij, në Kosovë ka kuadro të cilët janë të gatshëm për tregun e punës, por të cilët nuk arrijnë të absorbohen nga tregu i punës.
“Andaj, si rezultat i kësaj por edhe problemeve të tjera duhet të bëhet një plan nacional nga Qeveria, në të kundërtën papunësia nuk do të zbutet. Për këtë arsye, Ministritë dhe Institucionet tjera janë duke u angazhuar që të bashkërendojnë aktivitetet dhe të bashkëpunojnë më shumë”, u shpreh Reçica.
Siç bëhet e ditur në komunikatën për media nga D4D, Reçica u bëri thirrje të rinjve të ndjekin trajnime profesionale të cilat ofrohen nga agjencioni i punësimit dhe qendrat e aftësimit profesional, trajnime të cilat do tu ndihmojnë dhe lehtësojnë qasjen në tregun e punës në të ardhmen.
“Qëllimi i këtij bashkëbisedimi dhe hartimit të manifestos ishte të adresohen problemet dhe të ofrohen alternativa për punë të dinjitetshme dhe dialog social. Ky manifesto i drejtohet, institucioneve politikë-bërës, sindikatave, subjekteve politike dhe çdo hisedari tjetër me qëllim të aplikimit të metodave përmirësuese karshi Agjendës për Punë të Dinjitetshme në Kosovë”.
Manifesto është përpiluar si rezultat i dialogut social në Kosovë, me përfshirjen e përfaqësuesve të sindikatave, mediave, shoqërisë civile, si dhe më shumë se 200 të rinj dhe të reja.
Manifesto bazohet në:
• Dialogun Social dhe përfshirjen e grave dhe të rinjve në këtë proces
• Sfidat, mundësitë dhe zgjidhjet e implementimit të Agjendës për Punë të Dinjitetshme në Kosovë
• Integrimi i rinisë dhe grave si fuqi punëtore
• Mënyrat e avokimit, përfshirjes dhe pjesëmarrjes së të rinjve dhe grave në fushën e dialogut social
• Rritjes së rrjeteve të sindikatave në të gjithë sektorët ekonomik.