Reçica para komisionit të Financave flet për keqpërdorimet e pensioneve
Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, në mbledhjen e rregullt të martën, ka shqyrtuar Pasqyrat Vjetore Financiare të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale për vitin 2017.
Para anëtarëve të komisionit, ministri Skender Reçica, ka arsyetuar pensionet për personat pas vdekjes me shumë prej 111 mijë euro dhe përfitimet e pensioneve nga persona të punësuar në 943 mijë euro. “Zyra Auditimit ka dhënë opinionin e pamodifikuar por ka theksuar disa gjëra, si kryerja e pagesave të parregullta nga kategoria e subvencioneve, transfereve. Konkret pensionet për personat pas vdekjes me shumë prej 111 mijë euro, përfitimet e pensioneve nga persona të punësuar në 943 mijë euro, pagesat e pensioneve të dyfishta më shumë prej 700 mijë euro. Sa i përket pagesave për pensionet për personat pas vdekjes në 2016, Ministria e Punës ka lidhur marrëveshje që të flitet nën kontroll që personat që nuk janë më në jetë të bëhet çregjistrimi i tyre dhe shlyerja e pagesës ndaj tyre. Kjo ka dhënë rezultate sepse nga 800 mije euro sa ka qenë në 2017 ka rënë në 100 mijë”, është shprehur ministri Reçica.
Ai më tej ka thënë, se në 2018 është bërë procesi i shpalljeve publike. “Nuk ka kontrata më të gjata se gjashtë muaj dhe në të gjitha rastet është duke u respektuar në përpikmëri kjo. Mbetem i përkushtuar që ta bëjë qeverisjen sa më transparente. Gjetjet e auditorit tani janë të adresuara dhe nuk ka të gjetura që nuk është filluar të adresohet”, ka deklaruarRecica.
Kurse, sa i përket furnizimit me barna, ai ka thënë se duhet të respektohet ligji. “Besoj se këto të gjeturave i kemi kushtuar kujdes që në 2018 të mos përsëriten”, është shprehur ai.
Kurse, Avdullah Hoti nga LDK-ja, kërkoi përgjigje nga ministri për çështjen e ligjit të veteranëve, kurse Reçica u përgjigj se çështja është adresuar në qeveri dhe tash presin nga ajo përgjigje.
“Është çështje që e kam adresu në qeveri dhe duhet t’i paraprijë. Në fund të nëntorit e kam procedu që të fillojë zbatimi”, ka thënë ai.
Ndërkaq, Ali Lajçi nga VV-ja, tregoi mbi mangësitë që ka paraqitë auditori për punën e Ministrisë së Punës dhe mirëqenies sociale.“Te ministria për punë po ashtu kemi disa qasje në këtë auditim, më shumë kemi auditim të rregullsisë se sa më shumë të nevojave të kompeletimit të stafeve me ekspertiza. Kemi rregullsinë që ndiqet vazhdimisht në kuptim të këtyre ministrive. Në këtë kuptim të auditimit të performancës ngecet për arsye të stafeve profesionale kurse rregullsia është bukur mirë, e identifikon dhe i sqaron disa prej problemeve që ndeshim gjatë administrimeve të ministrive”, ka thënë Lajci.