Reçica: PDK-ja garon e vetme në zgjedhje, s’kemi vija të kuqe për asnjë parti
Edhe pse Partia Demokratike e Kosovës (PDK) është pro shpërndarjes së Kuvendit më 22 gusht, ende nuk ka finalizuar listën me nënshkrime nga të gjithë deputetët e grupit parlamentar të këtij subjekti për të shkuar vendi në zgjedhje.
Ndërsa, të gjitha subjektet e tjera kanë thënë t’i kenë dorëzuar listat me nënshkrime në Kuvend.
Deputeti i PDK-së, Elmi Reçica në një intervistë për “Kosovapress”, ka deklaruar kjo parti do ta mbështet mocionin për shpërndarjen e Kuvendit javën e ardhshme.
Sipas Reçicës kjo parti është e gatshme që vendi të shkojë në zgjedhje dhe se deri tani kanë grumbulluar 18 nënshkrime të deputetëve për shpërndarjen e Kuvendit.
Sa i përket lokacioneve parazgjedhore me ndonjë subjekt politik në zgjedhjet e jashtëzakonshme që pritet të mbahen pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, Reçica ka thënë se PDK-ja do të marrë pjesë e vetme në zgjedhje.
“PDK-ja kësaj radhe hynë në garë për të fituar dhe për ta pasur kryeministrin, dhe ai është Kadri Veseli. Duhet pasur parasysh që edhe pas zgjedhjeve që pritet të mbahen tash, ne si parti politike qoftë të pozitës ose të opozitës duhet të bashkëpunojmë. Mirëpo, PDK-ja është ajo që i ka pranuar dhe gjithmonë do t’i pranoj rezultatet zgjedhore. Në këtë aspekt sovrani vendos. Absolutisht të gjitha janë të mundura dhe nuk kemi asnjë vijë të kuqe në këtë aspekt”, është shprehur Reçica.