Reçica: Platforma e paraqitur nga Patriot Krasniqi, është inspirim për të gjithë strukrurën e PDK-së në mërgatë
Kryetari i Komisionit për Organizimin e Partisë Demokratike në Mërgatë, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Elmi Reçica ka uruar Kuvendin Zgjedhor të PDK-së, në Itali.
“Jam shumë krenar dhe i lumtur që sot së bashku me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, nënkryetaren Vlora Çitaku, nënkryetarin e Kuvendit Enver Hoxhaj, që morëm pjesë në Kuvendin Zgjedhor të PDK-së, në Itali, ku me votat e të gjithë delegatëve, kryetar u zgjodh veprimtari i palodhur, Patriot Krasniqi.”, ka shkruar Reçica në llogarinë e vet në “Facebook”.
Njoftimi i plotë i Reçicës:
Jam shumë krenar dhe i lumtur që sot së bashku me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, nënkryetaren Vlora Çitaku, nënkryetarin e Kuvendit Enver Hoxhaj, që morëm pjesë në Kuvendin Zgjedhor të PDK-së, në Itali, ku me votat e të gjithë delegatëve, kryetar u zgjodh veprimtari i palodhur, Patriot Krasniqi.
Kuvendin e hapi bukuroshja 8 vjeçare Alina Hajrizaj, e cila nën përcjelljen e tingujve të kitarës dhe me zë fantastik interpretoi këngën “Liria ka Emër”.
Kuvendin me pjesëmarrje e nderoj kryetari i Shoqatës Kulturore “Vrini”, z.Jahir Xhemaj dhe nënkryetari i Shoqatës Kulturore “Zëri i Atdheut”, z.Mentor Zenelaj.
Kuvendin me pjesëmarrje e nderuan edhe kryetari i degës së PDK-së, në Zvicër, z.Ragip Xhaka, kryetarja e Këshillit për Organizimin e Kuvendit të Degës në Baden Württemberg, znj.Lindita Haxhiu Zeqiri dhe kryetari i Këshillit për Organizimin e Kuvendit në Degën e Bavarisë dhe Thuringenit, z.Isak Neziri.
Kuvendi zgjodhi Këshillin Drejtues të Degës, ndërsa Këshilli Drejtues i Degës së PDK-së, në Itali, në takimin e parë zgjodhi kryesinë e degës si organ ekzekutiv dhe komisionet përkatëse.
Platforma e paraqitur nga kryetari i zgjedhur, Patriot Krasniqi, ishte inspirim për të gjithë ne dhe strukrurën e PDK-së, në mërgatë.
Pjesë nga fjalimi im në Kuvendin Zgjedhor të Degës së PDK-së, në Itali.
Politikës së PDK-së në mërgatë, më shumë se kurrë, sot i duhen veprimtarë të cilën i bëjnë gjërat të ndodhin, e jo të atillë që presin dhe vrojtojnë. Ju në Itali, vërtetë i keni bërë gjërat të ndodhin dhe me punë e aktivitete të secilit nga ju, arritët në finale. Arritët në momentin kur sot po e mbajmë Kuvendin Zgjedhor të Degës së PDK-së në Itali.
Ju delegatë dhe delegate të nderuara, me punë e vizion e dëshmuat se PDK-ja është shtëpi e hapur për të gjithë, të rinj e të reja, por edhe veteranë të organizimit partiak në Itali, dëshmuat se jeni të hapur për të gjithë, ata të cilët kanë potencialin krijues në çdo fushë, kanë iniciativën dhe vullnetin e bashkimit dhe të strukturimit, në atë mënyrë që potencialin individual krijues të bashkuar ta shndërrojmë në vlerë politike për partinë dhe vendin.
Ju me këtë organizim madhështor po e nderoni lidershipin e partisë, po i nderoni edhe ish drejtuesit e UÇK-së dhe PDK-së të cilët padrejtësisht sot po mbahen në Hagë, në mbrojtje të luftës së drejtë për çlirim të Kosovës.
Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli edhe nga atje janë krenarë me secilin nga ju të cilët punuat gjatë për strukturimin e PDK-së në Itali.
Në emër të Komisionit për Organizimin e PDK-së në Mërgatë, u jam mirënjohës secilit nga ju për kontributin e dhënë. U jam mirënjohës secilit që në mënyrë të organizuar bëtë rrugëtim të gjatë për të marrë pjesë në protestën në Hagë. Organizimi i kësaj proteste dëshmoi se aty ku PDK-ja ishte e strukturuar apo në strukturim e sipër, kishte organizime madhështore. Sot, ne po e përmbyllim një kapitull për ta hapur një kapitull të ri. Po e mbyllim kapitullin e organizimit partiak përmes Këshillit për Organizimin e Kuvendit Zgjedhor të PDK-së për degën në Itali, të përbërë nga 33 anëtarë, e të themeluar me datë 5 nëntor 2022. Po e hapim kapitullin e ri me struktura të dala përmes votës, nga ju delegatë dhe delegate të këtij kuvendi.
Të nderuar:
Ligji për zgjedhjet e përgjithshme, i cili është finalizuar dhe ka hyrë në procedurat parlamentare për miratim, parasheh lehtësimin e votimit të mërgatës sonë. Ky projektligj parasheh tre mundësi të votimit nga Mërgata:
Votimi në ambasada ose konsulata;
Votimi përmes kutive postare të KQZ në shtetin respektiv;
Votimi përmes kutisë postare në Kosovë, siç edhe ka qenë deri më tani.
Të nderuar, sot, në këtë Kuvend ne po e dëgjojmë zërin e fuqisë politike për partinë dhe vendin, po e dëgjojmë nga ju zërin e bashkimit për progres dhe fuqizim. Ne, dëshirojmë ta dëgjojmë zërin e mërgatës, si në parti ashtu edhe ne institucionet e shtetit tonë. Ne sot, po e dëgjojmë mesazhin nga ju se ndryshimi i vërtetë po vjen si në të gjitha etapat kohore nga mërgata.
Ju lumtë! Ju jemi përherë mirënjohës!