Reçica: Po punojmë në koncept dokumentin që përfshin sistemin e shtesave për fëmijë
Pas debatit në Kuvendin e Kosovës për shtesat e fëmijëve, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, ka thënë se nataliteti nuk është bërë brengë e këtij vendi në mungesë të buxhetit por në mungesë të iniciativave dhe në mungesë të ndërmarrjeve.
Ai duke iu referuar statistikave zyrtare të Ministrisë së Arsimit, ka thënë se sivjet 16 mijë fëmijë më pak kanë nisur shkollën, duke e vlerësuar këtë fakt si shqetësues për të gjithë.
Reçica ka bërë me dije se janë në fund të draftimit të koncept dokumentit për reformën e sistemit pensional, dhe sipas tij, në këtë koncept dokument parashihet krijimi i fondit për sigurime sociale, në të cilën në një të ardhme të afërt do të instalohet edhe sistemi i shtesave për fëmijë.
“Sipas të dhënave zyrtare, numri i fëmijëve në moshën 0-14 mund të jetë rreth 450 mijë fëmijë. Duhet të përcaktohet qartë mënyra e financimit dhe mbulimit të kostos për pagesën e shtesave për fëmijë. Ministria është duke punuar në këtë koncept-dokument në mënyrë që shtesat për fëmijë të realizohen pa ndonjë ngarkesë shtesë për buxhetin e Kosovës”.
Në fund të këtij debati të iniciuar nga deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, nuk është votuar rezoluta e propozuar nga ajo për shkak të mungesës së kuorumit.