Reçica premton veprime konkrete për pensionistët e Kosovës
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Skender Reçica, ka vizituar Lidhjen e Pensionistëve të Kosovës, ku është takuar me kryetarin e saj, Shaban Kajtazi dhe përfaqësues tjerë.
Gjatë këtij takimi, ministri Reçica është njoftuar gjerësisht rreth preokupimeve kryesore të pensionistëve, duke nënvizuar faktin se një reformë e përgjithshme në aspektin organizativ dhe ligjor do ishte fillim i mbarë për një sistem të qëndrueshëm dhe të avancuar pensional.
“Jam i vetëdijshëm se pozita e juaj nuk është nga më dinjitozet, por ju premtoj se jam afër vendimeve dhe ndërmarrjes së hapave konkret sa i përket një plotësim-ndryshimi të detajuar të Ligjit për Skemat Pensionale të shtetit ku synojmë reformë të sistemit pensional në aspektin organizativ dhe ligjor, në mënyrë që në të ardhmen mos të kemi kundërshtime ligjore të ligjeve me njëra-tjetrën”, ka thënë Reçica.
Ndërsa kryetari i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, Shaban Kajtazi në emër të pensionistëve ka falënderuar ministrin Reçica për kontributin e tij në përmirësimin e kushteve të pensionistëve dhe realizimin e të drejtave të tyre.