Reçica prezanton në Luksemburg sfidat e Kosovës në fushën punësimit
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Sknender Reçica, me ftesë të Presidencës së Bashkimit Evropian (BE) dhe Komisionit Evropian (KE) është duke marrë pjesë në EU-Konferencën ministrore të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Luksemburg.
Reçica ka bërë me dije se në këtë konferencë, ka paraqitur sfidat me të cilat është duke u ballafaquar Kosova, si papunësia e lartë, mospërputhja e aftësive profesionale të fuqisë punëtore me nevojat e tregut të punës, zhvillimi i ultë ekonomik, si dhe investimet e huaja të pakta.
“Theksova se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që të avancojë me reformat e nevojshme, me qëllim të krijimit të më shumë vendeve pune, të nxit investimet e huaja, të ketë koordinim më të mirë në mes të institucioneve të vendit për edukim dhe aftësim profesional, për krijimin e kuadrove profesionale me aftësitë dhe shkathtësitë e kërkuara”, ka shkruar Reçica në llogarinë e vet në “Facebook”.
Kjo konferencë është organizuar nga treshja e Presidencës së BE-së, ajo aktuale rumune e Finlandës dhe Kroacisë, së bashku me Drejtorinë e përgjithshme të Komisionit Evropian për punësim dhe çështje sociale.
/Epoka e re/